Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, tha sot se vizita e paralajmëruar për të enjten e nënpresidentit amerikan Xhosef Bajdën është me rëndësi historike për Kosovën. Ai tha se zoti Bajdën ishte dhe mbetet një nga mbështetësit e rëndësishëm për Kosovën, ndërsa kjo vizitë konfirmon edhe njëherë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Kosovën dhe qytetarët e saj pa dallim.
“Për ne shënon një kuptim të veçantë të intensifikimit të marrëdhënieve kaq të mira dhe të shkëlqyera që ka Republika e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në kuadër të vizitës, dihet se ai do të vizitojë edhe vendet e tjera të rajonit dhe mendoj se mesazhet e tij themelore janë mesazhe për demokracinë dhe për paqen dhe ecjen e mëtejshme përpara”, tha presidenti Sejdiu.
Në këtë kuadër, presidenti Sejdiu u bëri thirrje edhe qytetarëve të komunitetit serb që të jenë pjesë e procesit politikë dhe ta trajtojnë Kosovën si vendin e tyre.
Komentet e presidentit Sejdiu u bënë pas një takimi me përfaqësuesit e partive politike në funksion të përgatitjeve për zgjedhjet për pushtetin komunal që duhet të mbahen në vjeshtën e këtij viti.
Zgjedhjet lokale mbahen në vjeshtë – ende nuk ka një datë të caktuar
Takimi i sotëm hoqi shqetësimet e një pjese të partive politike për mundësinë e shtyrjes së këtyre zgjedhjeve, ndërsa u paralajmëruan këshillime të reja për këtë çështje.
Sipas ligjit, vendimi i presidenti për të caktuar datën e zgjedhjeve bëhet jo më vonë se katër muaj dhe jo më herët se gjashtë muaj, para datës së zgjedhjeve. Votimet e fundit për pushtetin komunal janë mbajtur më 17 nëntor të vitit 2007 dhe institucionet e dala prej tyre kanë mandat dyvjeçar. Por një pjesë e partive politike kanë kërkuar që tetori të jetë periudhë e zgjedhjeve.
“Vendim për datë nuk është marrë dhe thashë se do të merret në kohë. Por unë e shfrytëzojë edhe këtë moment që t’u adresohem qytetarëve të marrin pjesë në procesin zgjedhor që do të organizohet, të jenë partner dhe aktere të përbashkët në ndërtimin e jetës dhe demokracisë në Kosovë”, theksoi presidenti Sejdiu.
Autoritetet thonë se do t'i përmbahen afatit ligjor për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në vjeshtën e këtij viti dhe të atyre për pushtetin qendror në vitin 2011. Edhe shefi i zyrës civile ndërkombëtare Pieter Faith ka deklaruar këto ditë se zgjedhjet për pushtetin qendror do të mbahen kah fundi i vitit 2011 dhe atë pasi të ketë përfunduar regjistrimi i popullsisë, një proces që në Kosovë nuk ka ndodhur që nga viti 1981.
Vendimi që ato zgjedhje të mbahen pas më shumë se dy vjetësh kishte nxitur reagime të rrepta të opozitës, e cila ka paralajmëruar se do të kërkojë që kjo çështje të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës sapo të jetë krijuar ajo. Emërimi i anëtarëve vendas të kësaj gjykate tashmë ka përfunduar dhe është në duart e përfaqësuesit civil ndërkombëtarë Pieter Faith që të emërojë edhe tre anëtarë ndërkombëtarë të kësaj gjykate. (ze)