Zyrtarët në Afganistan thanë se 11 vetëvrasës sulmuan sot ndërtesa qeveritare në qytetin e Kostit në pjesën lindore të vendit, duke vrarë të paktën 9 veta në shpërthimet dhe luftimet që pasuan.
Edhe 16 persona të tjerë u plagosën nga sulmet që filluan sot në mëngjes kur autorët e tyre goditën ndërtesën me zyrat e guvernatorit dhe të bashkisë. Sulmuesit morën disa pengje.
Zyrtarët thanë se forcat amerikane dhe ato afgane sulmuan godinën, ku vranë 3 kryengritës dhe shpëtuan pengjet të padëmtuar.
Militantët talebanë morrën përgjegjësinë për sulmet, duke thënë se kishin angazhuar rreth 30 sulmues, mes tyre edhe vetëvrasës, për të sulmuar këtë qytete. Një bazë e madhe ushtarake amerikane ndodhet në qytetin e Kostit.
Ndërkohë, ushtria amerikane akuzoi militantët talebanë se përdorën fosfor të bardhë, i cili shkakton djegje kimike, në sulmet në Afganistanin lindor.
Ushtria amerikane publikoi dje dukumenta, që më parë ishin sekrete, të cilat flasin për të paktën 38 raste kur militantët përdorën fosforin e bardhë në sulme ose në magazina u gjetën armë me fosfor të bardhë. (ze)