Lidhje

Oketa: Anëtarësimi në NATO, realizim i përpjekjeve në vite


Flamurët e Shqipërisë dhe Kroacisë u ngritën dje edhe në komandën e NATO-s në Amerikën e Veriut.

Në Komandën e Aleancës për Transformim, në Norfolk të shtetit Virxhinia u zhvillua një ceremoni ku Shqipëria u përfaqësua nga ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa.



Në sheshin përpara ndërtesës kryesore të Komandës, flamurëve të shteteve të tjera iu shtuan dje edhe ata të Shqipërisë dhe Kroacisë, dy anëtarëve më të rinj të Aleancës.

Ministri i mbrojtjes Gazmend Oketa përfaqësoi Shqipërinë në ceremoni.

“Është realizimi i të gjitha atyre përpjekjeve dhe reformave që qeveritë shqiptare, forcat e armatosura të Republikës së Shqipërisë kanë ndërmarrë në vite. Është një arritje e bukur që meriton falenderime për të gjitha vendet e Aleancës së Atlantikut të Veriut, të cilat kanë mbështetur Shqipërinë dhe Kroacinë në rrugën drejt anëtarësimit në NATO.”

Shqipëria dhe Kroacia u pranuan si anëtare të NATO-s në fillim të këtij muaji në samitin e Aleancës.

Komanda e Aleancës për Transformim është komanda e vetme e NATO-s në Amerikën Veriore. Ajo drejton procesin e transformimit të Aleancës përmes zhvillimit të koncepteve të reja dhe eksperimenteve ushtarake.

Kreu i Komandës së Aleancës për Transformim, gjenerali Xhejms Matis thotë se Shqipëria dhe Kroacia bënë shumë përgatitje për t’u pranuar në NATO.

“Shqipëria dhe Kroacia punuan shumë ngushtë me njëra tjetrën dhe me ne. Shqipëria dhe Kroacia janë dy vendet më të përgatitura për anëtarësimin në NATO në kujtesën tonë si Aleancë. Këto dy vende kanë bërë më shumë se çdo vend tjetër për t’u përgatitur. Prandaj ne mezi presim që të fillojmë bashkëpunimin.”

Zoti Oketa i tha Zërit të Amerikës se Shqipëria nuk e ka parë anëtarësimin në NATO si qëllimin e fundit por si një qëllim të rëndësishëm për reforma të reja.

“Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë kanë një plan të detajuar veprimi, kanë mbështetjen e të gjitha autoriteteve shqiptare dhe buxhetin e duhur për këtë qëllim.”


Zoti Oketa tha se e gjithë klasa politike shqiptare e sheh këtë anëtarësim jo thjesht si përfitim por edhe si një burim detyrimesh. Shqipëria, tha ai, është e përgatitur të vazhdojë me të njëjtën vendosmëri për realizimin e këtyre detyrimeve. //ii

XS
SM
MD
LG