Lidhje

Obama në Darkën e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë


Presidenti Barak Obama mori pjesë mbrëmë në Darkën e përvitshme të Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, ku hodhi batuta për vete dhe të tjerë.

Duke bërë shaka për përdorimin e telepromterit gjatë fjalimeve, Presidenti Obama tha se do të përpiqet të mësohet që ndonjëherë t’i thotë fjalët pa lexuar në teleprompter, ndërsa nënpresidenti Xho Bajden do të mësohet që ndonjëherë ta ndjekë teleprompterin. Ai i referohej prirjes së zotit Bajden për të bërë komente spontane.

Darka e përvitshme është një aktivitet për mbledhje fondesh organizuar nga korrespondentët e Shtëpisë së Bardhë. Ata akorduan 132 mijë dollarë në bursa studimi, kryesisht për studentë nga pakicat.

Pjesëmarrja për herë të parë e Presidentit në këtë darkë të përvitshme, tërhoqi një valë figurash të njohura të arenës politike, si edhe nga industria e artit.

Mes të ftuarve, ishin regjisori i njohur Stiven Spilberg, ish-sekretarja e shtetit Medlin Ollbrajt, Sekretari i Thesarit Timothi Gajtner, aktorët Forest, Uitëkër, Ashton Kuçer dhe Glen Klouz, kryetari i Bashkisë së Los Angelesit Antonio Vilairagosa, muzikantët Stivi Uonder dhe Alisha Kijs, si edhe ish-modelja dhe drejtuesja televizive Tajra Benks. //mm//

XS
SM
MD
LG