Autoritetet në Shqipëri njoftojnë se një deputet i Partisë Socialiste të opozitës është vrarë mbrëmë me armë zjarri në oborrin e shtëpisë së tij.
Sipas policisë, deputeti 49-vjeçar Fatmir Xhindi është vrarë në qytetin e Roskovecit nga persona të panjohur. Policia tha se sipas deklaratave paraprake të familjarëve të tij, deputeti Xhindi sapo ishte kthyer nga puna në pronat e tij private në zonën e Kurjanit.
Deputeti ishte dërguar në spital nga familjarët e tij në gjendje të rëndë pas goditjes me armë zjarri.
Shefi i policisë së Fierit, Shemsi Prençi i tha Zërit të Amerikës se e
gjithë zona është rrethuar dhe janë bllokuar të gjitha drejtimet që të
nxjerrin nga zona e Roskovecit në drejtim të Beratit, të Lushnjës dhe
në drejtim të Ballshit.
Ai tha se policia ka komunikuar me
familjarët për të mësuar mbi rrethanat dhe aktivitetin ditor të
deputetit për të sqaruar se mos ishte fjala "për ndonjë konflikt të
shpejtë të ditës". Zoti Prençi tha se policia ka pista të tjera për të
cilat do të komentohet pasi të jenë nxjerrë konkluzione të sakta.
Në
këto momente, tha shefi i policisë lokale, nuk është ndaluar ndonjë person por janë marrë në pyetje
njerëz në ambientet e shtëpive për të sqaruar rrethanat.
Në një komunikatë, Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit thanë se kanë angazhuar të gjithë ekspertët më të mirë të hetimit të krimeve të rënda. Ata thanë se sigurojnë opinionin publik dhe familjen e deputetit Xhindi se do të kryhet një hetim i hollësishëm dhe i thellë për zbardhjen e ngjarjes dhe gjetjen e autorëve. Policia tha se nuk ka ndonjë pistë për motivin e krimit por ka filluar hetimet.
Presidenti Bamir Topi e quajti vrasjen një ngjarje jashtëzakonisht të rëndë dhe një akt kriminal të pashembullt që duhet zbardhur pa humbur kohë. Në një telegram ngushëllimi drejtuar familjes, ai tha se deputeti Xhindi do të mbetet në kujtesën e të gjithëve për korrektësinë, seriozitetin dhe kontributin profesional e njerëzor.
Shqipëria, e cila u pranua në NATO muajin e kaluar, pritet të zhvillojë zgjedhjet parlamentare më 28 qershor.//ii