Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton thotë se ajo dhe presidenti Barak Obama e kanë shndërruar ndryshimin klimatikë një temë kryesore të politikës së jashtme amerikane.
Sekretarja Klinton nënvizoi angazhimin amerikan ndaj ndryshimeve klimatike gjatë një takimi në Uashington, ku po marrin pjesë përfaqësues të 17 ekonomive më të mëdha të botës si dhe përfaqësues nga OKB-ja dhe Danimarka.
Sekretarja e Shtetit Klinton tha se Shtetet e Bashkuara po i ndryshojnë politikat e mëparshme. Ajo po ashtu theksoi së në fillim të këtij muaji Agjencia Amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit publikoi rezultatet e analizave të veta, sipas të cilave dioksidi i karbonit dhe gazet e tjera që shkaktojnë efektin serrë kërcënojnë shëndetin dhe mirëqënien publike. Ajo tha se kjo gjë do të mundësojë forcimin e rregullave për gazet e shkaktuara nga përdorimi i automjeteve.
Sekretarja Klinton po ashtu i tha grupit të të pranishmëve se shkenca tregon se ndryshimet klimatike po bëhen edhe më të rrezikshme vit pas viti.//lk