Autoritetet vendase e ndërkombëtare në Kosovë u bënë sot thirrje qytetarëve të vendit, në veçanti atyre të komuniteteve, që të bashkëpunojnë në zbatimin e procesit të decentralizimit. Ata e cilësuan të domosdoshëm këtë proces, i cili parasheh formimin e komunave të reja dhe afrimin e pushtetit me qytetarët.
Gjatë qëndrimit në Gjilan, ku u përurua Zyra Civile Ndërkombëtare për këtë rajon, përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë, Peter Faith, tha se përparimi sa më i madh në procesin e decentralizimit, do të ndikojë edhe në suksesin e zgjedhjeve lokale, të cilat pritet të mbahen në vjeshtë të këtij viti. “Po punojmë në formimin e ekipeve përgatitore themeluese komunale. Kemi shpallur konkurset për vendet e punës dhe shpresojmë që komuniteti serb do të përgjigjet dhe do të marrë pjesë në këtë përpjekje”, tha zoti Faith duke shtuar se ka shenja të një interesimi në rritje për pjesëmarrje të serbëve në decentralizim.
Por, përfaqësuesit e komunitetit serb mëdyshen të përkrahin procesin e decentralizimit pasi ai drejtohet nga Qeveria e Kosovës dhe Zyra Civile Ndërkombëtare. Ata kanë kërkuar që ky proces të jetë nën drejtimin e Këshillit të Evropës. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuqi thotë ndërkaq se Kosova është një tërësi e vetme dhe zhvillimet do të jenë të njëjta dhe të përputhshme në të gjithë vendin. “Unë i bëra ftesë edhe sot komunitetit serbë që të marrin pjesë edhe në zgjedhjet lokale që mbahen këtë vit, të marrin pjesë edhe në procesin e decentralizimit, por ajo që dua të them është se peng i zhvillimeve demokratike dhe legjitimitetit demokratik nuk do të jetë askush në Kosovë e as serbët”.
Procesi i decentralizimit i cili parasheh krijimin komunave të veçanta me shumicë serbe, ka nxitur shqetësime për siç thuhet ndarjen e Kosovës në baza etnike. “Ndarja nacionale nuk është e mirë, të tjerat besoj se do të jenë mirë”, thotë një qytetar shqiptar nga Gjilani.
Një qytetar serbë ndërkaq thotë se tash për tash serbët nuk kanë telashe, jetojnë mirë por nuk ndihen të lire. “Do te ishte mire te jemi te barabartë. Unë kam kumbarë në mesin e shqiptarëve, por politika i ka ngrirë të gjitha”.
Decentralizimi është cilësuar si një nga proceset më të vështira që dalin nga propozimi i presidentit Ahtisaari, mbi bazën e të cilit Kosova e ka shpallur pavarësinë. Ai vazhdon të kritikohet nga qytetarët shqiptarë ndërsa të refuzohet nga ata serbë.