Lidhje

Qeveria parapaguan kompensimin e kartave, opozita i kërkon ato falas


Ministria e financave hodhi sot poshtë kritikat e opozitës për shkelje në procesin e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti, duke theksuar se qeveria po mbulon paraprakisht shpenzimet për kartat nga shtresat e varfra të popullatës.

Zëvendës - ministri i financave, Sherefedin Shehu, deklaroi sot se vendimi i qeverisë bën kompensimin me parapagim dhe se “e ashtuquajtura “taksa e votës” - siç thotë opozita nuk ekziston”. Ai tha se qeveria po kompenson çmimin e kartës së identitetit për mijëra pensionistë, studentë, të papunë me ndihmë ekonomike dhe grupime të tjera në vështirësi financiare.

“Socialistët e kanë bërë këtë një çështje të madhe, por është një çështje e sajuar. Realisht nuk ekziston një taksë vote, sepse ato para që dje jepeshin kundrejt një dokumenti që vërtetonte kryerjen e shpenzimit, tani jepen në formë paradhënie. Këto janë para të taksapaguesve, nuk janë para të kryeministrit, as të qeverisë, ndaj duhen përdorur dhe po përdoren me efiçencë” - thotë zoti Shehu.

Por opozita e sheh problemin si një çështje të të drejtave njerëzore. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha sot se varfëria i pengon njerëzit që të blejnë kartën, rrjedhimisht u pengon atyre të drejtën e votës.

“Dje opozita jonë doli nga Kuvendi, jo për të bojkotuar atë, por për të rritur nivelin e shqetësimit publik për dështimin që kërcënon zgjedhjet, ngaqë kryeministri vazhdon të mohojë të drejtën e votës qindra mijëra qytetarëve e qytetareve, duke bërë shurdhin ndaj këmbanës së alarmit tonë për pasojat katastrofike të taksës së votës” - thotë zoti Rama.

Por zoti Shehu i ministrisë së financave thotë se pagesa paraprake që po bën qeveria rrëzon argumentin e opozitës për paaftësi paguese. Ai tha se prej fondit rezervë të qeverisë, pensionistët përfitojnë të gjithë nga kompensimet; 200 mijë pensionet minimale përfitojnë kompensim të plotë, ndërsa 300 mijë pensionistët e tjerë marrin afro gjysmën e shumës. Po ashtu kompensohen gjithë studentët dhe personat me aftësi të kufizuara, krahas atyre me ndihmë ekonomike.

“Në qoftë se opozita e ka patur seriozisht ankesën dhe zhurmën e saj, do të jetë më mirë që të falenderojë qeverinë për masat që po merr, se sa të braktisë parlamentin. E ftoj opozitën që të jetë bashkëpunuese për kartat dhe të gjithë së bashku të realizojmë zgjedhjet, të cilat janë një sfidë për të gjithë shqiptarët, jo vetëm për qeverinë” - thotë zoti Shehu.

Nga ana tjetër opozita shprehu gadishmërinë për një zgjidhje politike në dialog me qeverinë. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha se kostoja e zgjedhjeve problematike gjithsesi i mbetet qeverisë.

“Do apo s’do qeveria, janë qindra mijëra familje që nuk e përballojnë dot taksën e votës dhe askush nuk mund të mbetet pa votuar për shkak se nuk paguan dot për kartën e tij të identitetit. Ne kemi zgjidhje, nëse qeveria do vërtet të bëjë zgjedhje” – thotë zoti Rama.

Deputetët e Partisë Socialiste u larguan një ditë më parë nga parlamenti në shenjë proteste ndaj vështirësive që sipas tyre, po ndesh ndarja e kartave të identitetit, proces, që sipas qeverisë, po ecën normalisht. Opozita këmbëngul se kartat duhet të shpërndahen falas, në mënyrë që pafuqia blerëse të mos i pengojë qytetarët për të votuar në zgjedhjet parlamentare të qershorit. (ze)

XS
SM
MD
LG