Lidhje

Kosovë: Vazhdojnë reagimet ndaj akuzave për krime të ish UÇK-së


Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetari i Parlamentit Jakup Krasniqi thanë sot se lufta e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte e drejtë, ndërsa hodhën poshtë pohimet për krime të saj ndaj civilëve.

Komente të ngjashme janë bërë gjatë ditëve të fundit edhe nga udhëheqës të tjerë politike të vendit pas shkrimeve të shërbimit botëror të BBC-së dhe Rrjetit Ballkanik për gazetari hulumtuese sipas të cilave Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka shkelur të drejtat e civilëve në Kosovë, ka keqtrajtuar dhe në disa raste edhe ka vrarë pjesëtarë të komuniteteve të ndryshme.

Hulumtimet e gazetarëve morën në shqyrtim edhe pretendimet se disa prej personave që u mbajtën në disa burgje të ish Ushtrisë Çlirimtare në Shqipëri, ishin vrarë për t'u marrë organet, një pohim ky i ngritur me herët edhe nga ish kryeprokurorja e Gjykatës së Hagës Carla del Ponte në librin e saj Gjuetia.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, i cili gjatë luftës ishte drejtor politik i ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës tha se kjo ushtri nuk ka bërë krime, por ka zhvilluar një luftë të drejtë, të pastër duke respektuar konventat ndërkombëtare.

“Është një fushatë me pretendime denigruese për luftën tonë të drejt, për shtetin tonë të ri që po ndërtojmë, për sukseset që po arrijmë dhe në prag të mbajtjes së procesit të Hagës lidhur me pavarësinë e Kosovës. Por, e vërteta dihet, është një e vërtetë: Serbia është ajo që ka kryer gjenocid në Kosovë. Prandaj, çdokush që pretendon për të rikthyer gjërat prapa do të jetë i dështuar”, tha kryeministri Thaçi.

Në shkrimet e ditëve të fundit pretendohet se ish Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte kampe e burgje në rajonin e Kukësit në Shqipërinë veriore.

Kryeministri Thaçi thotë se në këtë mënyrë po bëhet përpjekje për të denigruar të gjithë shqiptarët qoftë në Kosovë apo në Shqipëri.

“Nuk është përzgjedhur rastësisht Kukësi për t’i përfshirë të dy vendet tona, për t’i sulmuar të dy vendet tona, për të sulmuar paqen, stabilitetin dhe progresin euroatlantik të Kosovës dhe Shqipërisë”, tha kryeministri Thaçi.

Udhëheqës politikë të ish Ushtrisë Çlirimtare kanë hedhur poshtë pohimet për ekzistimin e kampeve të kësaj ushtrie, por kanë theksuar se ka pasur mundësi të gabimeve të bëra nga individë gjatë luftës. Ata kanë shprehur gatishmërinë për të mbështetur këdo që dëshiron të kryejë hetime të paanshme rreth kësaj çështjeje.

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ish zëdhënës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u angazhua për hetim të paanshëm rreth kësaj çështjeje.

“Po sigurisht që jo vetëm EULEX-i por edhe institucionet e Kosovës vërtetë duhet ta bëjnë një hetim. Dhe unë jam i bindur se rezultati i hetimeve ka me qenë pozitiv për Kosovën dhe UCK-në, pasi që gjithë ato që po thuhen këto ditë, vërtetë nuk kanë bazë reale dhe nuk janë diçka që neve na frikëson”, tha zoti Krasniqi.

Një numër organizatash ndërkombëtare kanë bërë thirrje për hetime të paanshme lidhur me akuzat që i janë bërë ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa Këshilli i Evropës, ka caktuar zotin Dick Marti që të hulumtojë vërtetësinë e tyre.

Hetime rreth kësaj çështjeje ka paralajmëruar edhe misioni i Bashkimit Evropian për policinë dhe drejtësinë, por siç thuhet vetëm nëse ekspertët binden nga faktet për një gjë të tillë. (ze)

XS
SM
MD
LG