Presidenti Obama ka hequr kufizimet për udhëtimet dhe transferimin e parave të kubanezo-amerikanëve ndaj të afërmve të tyre në Kubë. Është një ndryshim shumë i madh krahasuar me qëndrimin më të ashpër të administratës së ish-Presidentit Bush ndaj ishullit komunist. Shtëpia e Bardhë deklaroi dje se Presidenti Obama i ka udhëzuar Sekretaren e Shtetit, si edhe sekretarët e Thesarit dhe Tregëtisë që të ndërmarrin hapat e nevojshëm që t'i heqin kufizimet.
Kjo lëvizje nuk e heq embargon 47 vjeçare të Shteteve të Bashkuara kundër Kubës. Por është një hap lehtësues.
Rreth 1.5 milionë amerikanët që kanë të afërm në Kubë do të jenë më të lirë që t'i vizitojnë ata dhe t'u dërgojnë ndihma financiare.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Robert Gibs thotë se të gjitha kufizimet ndaj udhëtimit dhe dërgesave të parave po hiqen. Në të njëjtën kohë, administrata e Presidentit Obama po autorizon më shumë lidhje telekomunikacioni me Kubën dhe po zgjeron listën e ndihmave humanitare që mund të dërgohen në Kubë.
Zoti Gibs thotë se të gjitha këto hapa kanë si synim të afrojnë ditën kur populli kuban të mund të vendosë lirisht për të ardhmen e vendit të tij.
"Të gjithë ata që përqafojnë vlerat demokratike mezi presin që të vijë dita kur Kuba të respektojë të drejtat bazë njerëzore, politike dhe ekonomike të të gjithë qytetarëve të saj. Presidenti Obama beson se hapi që ai ndërmori sot do të kontribuojë për kthimin në realitet të këtij objektivi".
Por zoti Gibs shton se vetëm veprimet e Presidentit nuk do të mjaftojnë. Ai shton se edhe udhëheqësit e Kubës duhet të ndërmarrin hapa.
Ky hap përmbush një nga premtimet e Presidentit Obama gjatë fushatës dhe merret në prag të takimit të vendeve të Amerikës Latine që mbahet këtë fundjavë në Trinidad dhe Tobago.
Udhëheqësit e vendeve të Amerikës Qendrore dhe Lindore që do të marrin pjesë në takim kanë inkurajuar Shtetet e Bashkuara që të ndjekin një politikë më të hapur ndaj Kubës.
Presidenti Obama ka lënë të kuptojë se do të kishte vullnetin të angazhohej në një dialog diplomatik të kujdesshëm me Kubën.
Por njoftimi i djeshëm në Shtëpinë e Bardhë nuk jepte ndonjë sinjal për hapjen ndaj zyrtarëve të Havanës. Fokusi ishte tek shkëmbimet mes njerëzve, duke inkurajuar lidhjet familjare, dhe duke i hapur rrugë firmave amerikane të telekomunikacionit dhe shërbimeve satelitore radio-televizive që të kërkojnë të hyjnë në tregun kubanez.
Kritikët, përfshirë disa anëtarë kubano-amerikanë të Kongresit paralajmëruan se paratë e dërguara në Kubë do të përfundonin në xhepat e zyrtarëve komunistë të Kinës.
Dan
Restrepo, drejtor për Çështjet e Hemisferës Perëndimore në Këshillin e Sigurisë
Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë u tha gazetarëve se Presidenti Obama po i bën
thirrje Havanës të ndalë vendosjen e gjobave ndaj parave të emigrantëve.
"Ne po i heqim pengesat dhe
qeveria kubaneze duhet të bëjë të njëjtën gjë duke lejuar Kubanezët që të
ndihmojnë familjet e tyre", tha ai.
Në një
ndryshim të praktikës së zakonshme të Shtëpisë së Bardhë, njoftimi u bë në dy
gjuhë: zëdhënësi Gibs foli anglisht, ndërsa zoti Restrepo që ka të afërm në
Kolumbi foli spanjisht.
Ai iu përgjigj edhe disa pyetjeve në spanjisht të gazetarëve spanjisht-folës, duke shënuar herën e parë mesa mbahet mend që në Shtëpinë e Bardhë mbahej një konferencë shtypi dygjuhëshe.