Lidhje

Presidenti Obama në Bagdat: Vendasit të marrin përgjegjësitë


Presidenti Barak Obama bëri dje një vizitë të paparashikuar në Irak ku u takua me trupat amerikane si dhe bisedoi me udhëheqësit e Irakut. Zoti Obama ndaloi në Bagdat pas përfundimit të një vizite në Turqi.

Avioni presidencial “Air Force One” arriti në Bagdad pa paralajmërim pas një fluturimi dy orësh nga Stambolli. Kjo ishte vizita e parë e zotit Obama në Irak në cilësinë e presidentit. Ai e kishte vizituar Irakun si pjesë e një delegacioni të Senatit në vitin 2006 dhe një herë tjetër si kandidat për president vitin e kaluar.

Qëllimi kryesor i vizitës ishte të takohej me trupat amerikane në Irak dhe me komandantët e tyre. Presidenti shkoi në kampin “Victory”, një bazë ushtarake amerikane në periferi të Bagdatit ku u dha mbështetjen e tij rreth 600 trupave që brohorisnin.

"Keni qënë të shkëlqyer në çdo mision që ju është dhënë. Keni shërbyer në vështirësi të mëdha me sakrifica të jashtzakonshme në mes të debateve politike, por ju nuk e keni humbur kurrë vëmendjen dhe jeni përqendruar vetëm në punën tuaj”.

Presidenti u tha ushtarakëve se operacioni amerikan në Irak ka mbërritur në një pikë kyçe ndërsa prania amerikane po ulet dhe populli irakian po merr përsipër sigurinë e vendit.

"Ka ardhur koha që siguria t’u kalojë irakianëve. Ata duhet të marrin përgjegjësinë për vendin e tyre dhe sovranitetin e tyre. Dhe, për ta bërë këtë, ata duhet të bëjnë lëshime politike”.

Zoti Obama tha se Shtetet e Bashkuara nuk mund të marrin vendimet për qeverinë irakiane. Por ai u tha trupave në Kampin “Victory” se Amerika do të jetë një partnere besnike, ndërsa Shtetet e Bashkuara do të marrin një rol të ri -nga ai luftarak në rol stërvitor për ushtrinë irakiane.

Presidenti tha se ushtarët amerikanë do të luajnë një rol të rëndësishëm në stabilitetin e Irakut në mënyrë që ky vend të mos shndërrohet në strehë për terroristët dhe që Iraku të jetë një fqinj dhe aleat i mirë. “Kështu,” tha presidenti, “trupat tona mund të kthehen në atdhe”.

Në kampin “Victory”, Presidenti zhvilloi një takim kokë më kokë me kryekomandatin ushtarak në Irak, gjeneralin Rei Odierno, dhe e siguroi atë se theksi i administratës së tij tek Afganistani dhe Pakistani nuk do të thotë që do të bjerë vëmendja nga Iraku.

Zoti Obama kishte në plan të fluturonte me helikopter për në Zonën e Blertë në Bagdad për t’u takuar me kryeministrin Nuri al-Maliki dhe presidentin Xhalal Talabani. Por fluturimi nuk ishte i mundur si pasojë e kohës së keqe. Udhëheqësit irakianë u takuan me presidentin në kampin “Victory”. Zoti Obama tha se i kishte deklaruar kryeministrit irakian se Uashingtoni është i vendosur për të ndihmuar Irakun të bëhet sovran, i qendrueshëm dhe i pavarur.

Presidenti ka bërë publike planet e administratës së tij për të tërhequr trupat luftarake nga Iraku deri në fund të vitit 2010.

Vizita e presidentit në Irak ishte ndalesa e fundit pas një udhëtimi të gjatë jashtë vendit që përfshiu samitin ekonomik në Londër, një takim me aleatët e NATOs në kufirin franko-gjerman, bisedime me udhëheqësit e radhës të Bashkimit Europian në Pragë si dhe një vizitë në Turqi. //ek

XS
SM
MD
LG