Europarlamentarja Doris Pak tha në Prishtinë se Misioni i Kombeve të Bashkuara nuk është më i nevojshëm, ndërsa ai i Bashkimit Evropian duhet të shtrihet në tërë Kosovën në funksion të vendosjes së sundimit të ligjit, por edhe demokratizimit të vendit.
Ajo i bëri këto komente në takimet e para në kuadër të vizitës dyditëshe të një delegacioni të Parlamentit Europian në Kosovë. Zonja Pak tha se Kosova ka shënuar përparim por ende mbetet shumë për t’u bërë, ndërsa nënvizoi se decentralizimi është shumë i nevojshëm dhe autoritetet tashmë e kanë filluar këtë proces.
“Por ekziston nevoja që edhe Beogradi të tregojë vullnet për t’i lejuar serbët që të jenë të përfshirë tërësisht në procesin e decentralizimit”, tha zonja Pack.
Ajo tërhoqi vërejtjen në nevojën e shtrirjes së EULEX-it në tërë vendin përshirë edhe veriun ku siç tha ajo janë duke bashkëpunuar grupe kriminale shqiptare dhe serbe që po e përdorin atë pjesë për punët e tyre të këqija.
“Ne na duhet EULEX-i në tërë Kosovën dhe jemi pajtuar se nuk na duhet më tej Misioni i Kombeve të Bashkuara. Është shumë mirë që EULEX po merr përgjegjësitë dhe ai është i nevojshëm për të përmirësuar strukturat demokratike të Kosovës, për të përmirësuar drejtësinë në mënyrë që t’i zgjidhë rastet që nuk janë zgjidhur nga UNMIK-u”, tha ajo.
Komentet e saj u bënë në ditën kur EULEX-i shpalli se është bërë funksional në gjithë Kosovën. Në një ceremoni përurimi të selisë së re të këtij misioni, shefi i EULEX-it, Iv de Kermabon, tha se me tre mijë pjesëtarë të personelit, ky është misioni më i madh i Bashkimit Evropian në botë.
Ai numëroi hapjen e disa proceseve gjyqësore, dënimin e një personi për krime lufte, vendosjen e doganierëve në veriun e Kosovës, procesin e parë gjyqësorë në atë zonë dhe identifikimin e 23 personave të zhdukur si disa nga të arriturat e misionit të tij.
“Përparimi nuk mund të arrihet brenda natës, por respekti për parimet e sundimit të ligjit, të drejtat e njeriut dhe pavarësinë e paanshmërinë e drejtësisë, janë çelësi për suksesin e EULEX-it dhe të Kosovës”, tha zoti de Kermabon.
Shefi i zyrës civile ndërkombëtarë dhe përfaqësues i posaçëm i Bashkimit Evropian Piter Feith tha se EULEX-i si dhe format tjera të pranisë evropiane në Kosovë dëshmojnë përkushtimin ndaj gjithë rajonit.
“Qëllimi i përgjithshëm i Bashkimit Evropian është të forcojë qëndrueshmërinë në Kosovë dhe në rajon, të ndihmojë qeverinë në forcimin e qeverisjes së mirë dhe përfundimisht për të arritur ripajtimin ndërmjet komuniteteve”, tha zoti Feith.
Shtrirja e EULEX-it në Kosovë filloi më 9 dhjetor të vitit të kaluar pas një zvarritjeje disamuajshe për shkak të kundërshtimit të Beogradit dhe të Rusisë që nuk pajtohen me pavarësinë e Kosovës të cilën deri tani e kanë njohur 56 vende të botës. //ek