Lidhje

Prishtina përshëndet anëtarësimin e Shqipërisë në NATO


Përfaqësuesit politikë të Kosovë përshëndesin anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancën Veri atlantike, duke e cilësuar këtë si një ngjarje me rëndësi edhe për tërë rajonin. Ata shprehin bindjen se nga kjo ngjarje do të përfitojë edhe Kosova, siguria e së cilës tash e dhjetë vjet me radhë, garantohet nga forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja.

“Konsiderojmë që inkuadrimi i Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, është një fakt që tregon se në rajonin tonë po rritet niveli i sigurisë, dhe një gjë e tillë është në interes edhe të Kosovës dhe të qytetarëve të saj”, tha kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

“Është një kontribut në stabilitetin dhe sigurinë e rajonit, gjithsesi. Është po ashtu drejtpërdrejtë e lidhur me sigurinë dhe stabilitetin tonë si Kosovë dhe ne e mirëpresim. Në mënyrë vullnetare edhe Kosova mund të fillojë me e përgatitë agjendën e vet me të cilën mundet t’i ofrohet NATO-s për anëtarësim, pra, mos të presim një ftesë për Kosovën por të fillojmë vetvetiu agjendën tonë për aftësim dhe anëtarësim në NATO”, tha kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovë, Ramush Haradinaj.

Kosova aspiron integrimet euroatlantike

Autoritetet shprehin bindjen se Kosova është në rrugë të mirë për të plotësuar kriteret për integrime në strukturat e NATO-s dhe të Bashkimit Evropian. Në këtë kuadër kryeministri i vendit Hashim Thaçi është shprehur i trimëruar me qëndrimin e komisionarit për zgjerim të Bashkimit Evropian Oli Rehn, i cili ka kërkuar mbështetje për Kosovën në proceset e integrimeve evropiane pavarësisht se jo të gjitha vendet anëtare të këtij bashkimi e kanë njohur shtetin e ri.

Para se të nisej për një vizitë në Bruksel, ai tha se këto çështje do të diskutohen edhe në takimet e paralajmëruara me zotin Rehn dhe përfaqësuesin e lartë për politikë të jashtme dhe siguri të Bashkimit Evropian Javier Solana. Kryeministri Thaçi tha se integrimi nuk është çështje akti por procesi që nënkupton plotësim kriteresh e procedurash.

“Unë i besoj fuqishëm integrimit të Kosovës në strukturat e Bashkimit Evropian dhe kjo është e vetmja rrugë dhe rruga e drejtë dhe e realizueshme për vendin tonë. Pavarësia e Kosovës ka sjellë me tepër stabilitet, bashkëpunim rajonal dhe perspektive evropiane për të gjitha vendet e rajonit e jo vetëm për Kosovën”, tha kryeministri Thaçi.

Bashkimi Evropian ka angazhuar në Kosovë mision e tj më të madh në histori atë të sundimit të ligjit i njohur si EULEX, i cili ka mbushur njëqind ditë që nga fillimi i shtrirjes së tij në tërë Kosovën. Zyrtarë të këtij misioni thanë se kanë arritur rezultate "relativisht të mira", por vendi ka ende mjaft sfida.

Vështirësitë më të mëdha të funksionimit të tij kanë të bëjnë me procesin e integrimit të komunitetit serb pjesëtarët e të cilit të mbështetur nga Beogradi nuk pranojnë pavarësinë e Kosovës dhe rrjedhimisht as institucionet e saj. (ze)

XS
SM
MD
LG