Autoritetet në Kosovë thanë sot se gjysma e rasteve të dhunës që paraqiten në polici janë pasojë e dhunës në familje. Këto të dhëna u publikuan në ditën e parë të fushatës dymuajshe kundër dhunës që është organizuar nga qeveria e Kosovës më mbështetje të EULEX-it dhe shoqërisë civile.
Autoritetet në Kosovë u bënë thirrje sot qytetarëve të vendit të bëhen pjesë e luftës kundër çdo forme të dhunës. Këto komente u bënë në fillim të një fushate me moton dhuna prodhon dhunë... lajmëroje rastin që synon të jetë gjithëpërfshirëse.
Ministrja e Drejtësisë Nekibe Kelmendi tha se fushata synon ndërgjegjësimin e qytetarëve për pasojat e dhunës.
“Qëllimi i kësaj fushate është që në shoqërinë kosovare të zvogëlohet, apo të reduktohet fenomeni i dhunës që është paraqitur në forma të ndryshme, sepse jemi të vetëdijshëm se ta eliminojmë në tërësi është diçka e pamundshme”, tha ministrja Kelmendi.
Alberto Perduka, nga Misioni i Bashkimit Evropian për policinë dhe drejtësinë tha se çdo shoqëri prodhon dhune, por secila shoqëri duhet të luftojë kundër saj.
“Përmbushja e këtij qëllimi nënkupton një qasje të shumanshme. Kjo lidhet me zhvillimin ekonomik, ofrimin e mundësive dhe edukim”, tha zoti Perduka duke shprehur mbështetjen e plotë të EULEX-it ndaj fushatës kundër dhunës.
Ministri i Punëve të Brendshme Zenun Pajaziti, tërhoqi vërejtjen se Kosova nuk ka shënuar rritje të dhunës etnike, ndërsa veçoi dhunën në familje si formën më të shpeshtë. “Për vitin 2008 ose për vitin e kaluar, prej 1 mijë e 280 rasteve të raportuara në polici si raste dhune, gjysma, saktë gjysma e rasteve janë dhunë në familje”, tha ministri Pajaziti.
Naime Sherifi nga Qendra për mbrojtjen e gruas dhe fëmijës, thotë se fushatat si kjo që filloi sot mund të ndihmojnë në zvogëlimin e pjesshëm të të dhunës, por jo në çrrënjosjen e saj. Ajo thotë se mungesa e regjistrimit të popullsisë dhe një baze të të dhënave vështirëson shumë edhe pasqyrimin real të shkallës së dhunës në familje.
Organizata e saj shënon një rritje të kësaj dhune. Derisa në vitin 2007 kjo qendër kishte 112 të strehuar, një vit më vonë ky numër ka arritur në 183 raste.
“Kryesisht janë gra, vajza të reja, nëna me fëmijë. Kemi pasur raste me numër të madh të fëmijëve të strehuar, çdo vit kemi raste të tilla. Kemi raste recidive shume....Dhuna fizike është e para, ajo psikike mbizotëron për të gjitha. Ka raste drastike të dhunës fizike. Kemi pasur raste të tmerrshme: gra përveç me hematome edhe me lëndime, si thyerje, djegie, dëmtim të dhëmbëve me darë, thjeshtë tortura,pra nuk e kanë më atrë karakterin e keqtrajtimit fizik, por janë torturë”.
Çështja e dhunës në familje është numëruar si një nga problemet kryesore të fushës së të drejtave dhe lirive të njeriut në Kosovë edhe nga organizatat ndërkombëtare. Kosova vlerësohet se ka një kuadër ligjor mjaft të avancuar, por problemet janë të mëdha në zbatimin e saj. (ze)