Kryetari i komunës së Bujanovcit, Shaip Kamberi, tha sot se pozita e shqiptarëve në Luginën e Preshevës është duke u përmirësuar dukshëm në krahasim me periudhën para konfliktit të armatosur të vitin 2001.
Gjatë një vizite në Prishtinë, zoti Kamberi tërhoqi vërejtjen se autoritetet serbe ende nuk kanë përmbushur detyrimet vëna nga bashkësia ndërkombëtare në zonat e banuara me shumicë shqiptare në Serbi. “Ka evoluim, ka përmirësime. Vet fakti se shqiptarët kanë qenë të përjashtuar nga jeta politike dhe publike në komunën e Bujaniovcit, ndërsa në vitin 2002 janë mbajtur zgjedhjet e para në mënyrë demokratike, kanë mundësuar që shqiptarët të përfaqësohen në administrim lokal proporcionalisht forcës politike që kanë. Kjo dëshmon se ka lëvizje në proceset politike, megjithatë, jemi ende në realizim e sipër dhe larg objektivave të vendosura në vitin 2001, posaçërisht atyre objektivave që Serbia ka marrë si obligim për t’i përmbushur para bashkësisë ndërkombëtare”.
Javën që shkoi, përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës nënshkruan me autoritetet e Beogradin përfshirjen e sërishme në trupin Bashkërendues për Serbinë e Jugut. Kryetari I komunës së Bujanovcit, Shaip Kamberi, thotë se përmes këtij trupi synohet integrimi i shqiptarëve në strukturat shtetërore të Serbisë dhe një komunikim më i mirë me përfaqësuesit e strukturave politike dhe organizatat civile në Serbi. “Mund të thuhet se me suksese të ndryshueshme gjatë periudhës së shkuar, Trupi Koordinues ka realizuar një pjesë të programit. Ajo që mbetet e parealizuar është integrimi i shqiptarëve nëpër institucionet shtetërore, dhe besojmë se me këtë formë të dialogimit që po krijohet në Luginë të Preshevës, do të arrijmë t’i realizojmë edhe objektivat e vendosura në vitin 2001, edhe me planin e qeverisë dhe me marrëveshjen e Konçulit për realizimin e të drejtave kolektive për shqiptarët”, thonë zoti Kamberi.
Tetë vjet pas konfliktit të armatosur në Luginën e Preshevës, përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës besojnë se pozita e komunitetit shqiptar në Serbinë e Jugut do të përmirësohet, me gjithë tensionet e herëpashershme. Në fund të vitit që lamë pas autoritetet serbe arrestuan 10 shqiptarë, ish pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nën dyshimet për siç thuhet përfshirje në krime lufte. Këto arrestime nxitën pakënaqësi në komunat me shumicë shqiptare dhe tensionimin e marrëdhënieve të tyre me Beogradin zyrtar.