Rreth dy muaj pas fillimit të mandatit presidencial, presidenti Obama ka nënshkruar një sërë urdhrash ekzekutivë në lidhje me politikat e jashtme dhe sigurinë kombëtare që i kanë ndryshuar kah politikave të administratës së mëparshme. Por, siç bien dakord edhe ekspertët e diplomacisë amerikane, ndryshimet e rëndësishme në këto politika do të kërkojnë kohë.
Fushata presidenciale e zotit Obama rrezatoi mesazhin e ndryshimit në politikat e jashtme dhe sigurisë kombëtare. Por, pak pas zgjedhjes në postin e presidentit, zoti Obama u shpreh se sfidat para tij do të ishin të vështira dhe se ndryshimet strategjike në marrëdhëniet Amerikë-botë do të kërkonin kohë.
Disa ditë pas inaugurimit, Presidenti i ri firmosi një sërë ndryshimesh në politikat e jashtme. Ai dekretoi mbylljen e burgut të Guantanamos, rishqyrtoi politikat e marrjes në pyetje të të burgosurve, vuri një afat për tërheqjen e trupave amerikane nga Iraku, urdhëroi dërgimin e 17 mijë trupave shtesë në Afganistan dhe rishikimin e strategjisë luftarake atje si dhe la të kuptohej se Amerika do të hapte bisedime në forma të ndryshme me një sërë vendesh, përfshirë Sirinë dhe Iranin.
Debati mbi situatën në Lindjen e Mesme, më i rëndësishmi mbi politikat e jashtme gjatë fushatës zgjedhore, mbetet ende i hapur. Majkëll Rubin, ekspert i politikave të jashtme në institutin “American Enterprise” në Uashington, nuk duket shumë optimist se në këtë rajon të trazuar do të ketë ndryshime pozitive.
“Duhet të kuptojmë se gjërat në Lindjen e Mesme nuk varen vetëm nga ne amerikanët, por edhe nga zhvillimet në Gazë, Teheran e vende të tjera. Kemi provuar të bisedojmë me iranianët që prej kohës së presidentit Karter. Politikat e zotit Obama në lidhje me Iranin nuk do të kenë sukses pasi udhëheqësi i vendit dhe Garda Revolucionare nuk janë të sinqerta në raportet e tyre me botën”.
Zoti Rubin është i bindur se lëvizjet diplomatike amerikane ndaj Sirisë nuk do të sjellin rezultate për arsye të rivalitetit historik që ka Siria me fqinjët e saj. Por në institutin Brukings, ish Ambasadori amerikan në Ukrainë, Stiv Paifer thotë se Amerika nuk humbet asgjë nga dialogu.
“Sekretarja e Shtetit ka vendosur që kjo rrugë ia vlen të ndiqet, koha do ta tregojë se sa rezultate do të kemi në këtë drejtim”.
Afganistani ka marrë një rol kryesor në retorikën politike të administratës së re. Urdhrat ekzekutivë të zotit Obama për të shtuar trupat, për të rishikuar strategjitë luftarake dhe për të hapur bisedimet me një pjesë të talibanëve atje janë pritur pozitivisht nga të dyja krahët e spektrit politik në Kongres. Por, studiuesit e rajonit nuk bien dakord nëse këto janë strategjitë e duhura.
“Talibanët nuk janë një grup i njësuar. Nuk është hera e parë që ne flasim me ta, por shumë do të varet nga prania jonë në Afganistan dhe raporti me Pakistanin. Trupat në Afganistan nuk duhen mbajtur si një lojë politike”.
Por, ish Ambasadori Pajfer thotë se shtimi i trupave nuk ka aq rëndësi sa strategjia që po hartohet aktualisht nga administrata e re:
“Strategjia e re që pritet të publikohet së shpejti do të ketë shumë rëndësi, pasi, nëse ajo do të parashikojë sukses në Afganistan, zoti Obama ka gjasa të marrë më shumë ndihmë nga evropianët gjatë takimeve muajin e ardhshëm si në anën ushtarake ashtu edhe në aspektin civil”.
Udhëtimi i parë i Sekretares së Shtetit, Hillari Klinton, në kontinentin aziatik tregoi rëndësinë që administrata e re i jep marrëdhënieve me vendet e Azi-Paqësorit dhe duket qartë që raporti me Kinën do të bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm me përkeqësimin e gjendjes ekonomike botërore.
Por, në të njëjtën kohë, Evropa mbetet në krye të axhendës diplomatike amerikane. Nënpresidenti Bajden dhe Sekretarja e Shtetit, Klinton shprehën qartë mesazhin e ndryshimit dhe rigjallërimit të marrëdhënieve ndëratlantike, veçanërisht me Rusinë. Moska ka gjasa të bëhet testi më i rëndësishëm për forcën e administratës së re në ushtrimin e politikave të jashtme.
Ndërsa Uashingtoni i ka ofruar Rusisë një vend në tavolinë, kjo e fundit i është përgjigjur duke bërë publike plane për riarmatim, duke ndikuar në vendimin për mbylljen e një baze amerikane me rëndësi strategjike në Kirgistan apo duke hedhur idenë e ndërtimit të bazave ushtarake ruse në Amerikën Latine. Po kështu, deklaratat amerikane mbi mundësinë e tërheqjes nga planet për mbrojtjen nga raketat kanë ngjallur debat mes ekspertëve.
“Mënyra se si Amerika po sillet në lidhje me Rusinë për planin e mbrojtjes nga raketat tregon se Shtetet e Bashkuara janë gati të bëjnë marrëveshje me Rusinë pa marrë parasysh interesat e sigurisë së Evropës Lindore. Nga njëra anë dialogu me Rusinë është pozitiv, por kjo nuk mund të bëhet në kurriz të vendeve si Polonia dhe Gjeorgjia. Tek e fundit, qëllimi i politikës së jashtme është balanca politike”.
Por zoti Pajfer thekson se nënpresidenti Bajden ia bëri të qartë Rusisë se, ndonëse Uashingtoni kërkon një marrëdhënie më të mirë me Moskën, Amerika do të vazhdojë të mbështesë të drejtën e vendeve si Gjeorgjia dhe Ukraina të zgjedhin vetë drejtimin e politikave të tyre të jashtme.
“Sekretarja Klinton e bëri të qartë gjatë vizitës në Bruksel se mbështetja amerikane për aspiratat e Gjeorgjisë dhe Ukrainës për në BE dhe NATO do të vazhdojë.”
Presidenti Obama ka përpara vetes një sërë çështjesh për t’u zgjidhur në fushën e politikës së jashtme. Duke marrë parasysh krizën ekonomike globale dhe pasojat e recesionit këtu në Shtetet e Bashkuara, retorika e zjarrtë e fushatës zgjedhore në lidhje me diplomacionë amerikane mund të kërkojë kohë për t’u shndërruar në realitet. //ek