Lidhje

Ekonomia në takimin e nivelit të lartë të Bashkimit Evropian



Udhëheqësit e Bashkimit Evropian janë në Bruksel për një takim dyditor, mes trysnisë në rritje për të hedhur më shumë para në ekonomitë e tyre për të luftuar krizën financiare globale. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Lisa Bryant njofton nga Parisi se evropianët po kërkojnë të gjejnë një gjuhë të përbashkët dy javë para takimit të 20-shes në Londër.


Takimi i nivelit të lartë në Bruksel është i fundit i një serie takimesh për mënyrat e përballimit të krizës ekonomike që ka goditur 27 vendet e bllokut, ashtu si edhe pjesën tjetër të botës. Në një takim të ministrave të financës nga vendet më të fuqishme të botës fundjavën e kaluar në afërsi të Londrës, Shtetet e Bashkuara dhe Evropa kërkuan të formulojnë një qëndrim të përbashkët për mënyrën e përballimit të një prej krizave më të rënda në dekada.

Ministri britanik i Financave, Alistair Darling u tha gazetarëve, se çdo vend duhet të jetë i lirë të vendosë për politikat e veta.

"Ne nuk po japim udhëzime se çfarë duhet të bëjë secili vend në veçanti. Ata do të duhet të zgjedhin rrugët e tyre. Bankat qëndrore në vende të ndryshme kanë objektiva të ndryshme. Dhe ne nuk duam të ndërhyjmë aty".

Por pas fjalëve për qëndrim të bashkuar, ka një trysni të fuqishme, sidomos nga Shtetet e Bashkuara, që evropianët të bëjnë më shumë. BE-ja po shpenzon gati 3 presje 3 përqind të prodhimit të saj të përgjithshëm të brendshëm për stimulimin e ekonomisë. Por kritikë, si laureati i çmimit Nobel për ekonominë, Paul Krugman thotë se këto masa nuk janë të mjaftueshme.

Zoti Krugman, i cili ishte në Bruksel këtë javë, fajëson gjithashtu, atë që njihet si “pakt stabiliteti” i vendeve të BE-së që përdorin euron,ose e thënë me fjalë të tjera, kufizimin që kanë këto vende për të mos e kaluar një prag të caktuar defiçit buxhetor.

"Këto janë kohë jo të zakonta. Janë kohë kur virtyti është ves dhe maturia, marrëzi. Kjo është koha kur defiçitet janë ato për të cilat kemi nevojë. Tavani i defiçitit është i ulët. Mendoj se Shtetet e Bashkuara po bëjnë atë që duhet dhe ndoshta jo aq sa duhet me një defiçit 12 apo 13 përqind të prodhimit të përgjithshëm të brendshëm. Kjo është rruga e duhur. Tavani i defiçitit duhet të hiqet tani për tani", thotë zoti Krugman.

Evropianët e thjeshtë po kritikojnë gjithashtu planet e mëkëmbjes ekonomike të qeverive të tyre. Kjo u duk qartë të enjten në Francë ku qindra mijëra francezë dolën në rrugë për të protestuar.

Por një numër vendesh evropiane, përfshi Francën dhe Gjermaninë, thonë se kanë shpenzuar boll tani për tani.

Takimi i nivelit të lartë të BE-së do të dominohet gjithashtu nga debatet si të shpenzohen 7 miliardë dollarë në projekte të infrastrukturës dhe sa para do të duhet t’u jepen vendeve lindore të bllokut, të cilat janë goditur më rëndë nga kriza financiare.


XS
SM
MD
LG