Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe ata të komunitetit serb thanë të martën se ngjarjet e dhunshme të marsit të vitit 2004 nuk duhet të përsëriten më kurrë. Pesë vjet më parë një valë dhunë përfshiu Kosovën duke lënë pas vetes 19 të vrarë, prej tyre tete serbë dhe 11 shqiptarë si dhe qindra të plagosur. Gjatë trazirave u dëmtuan edhe shumë shtëpi dhe 35 objekte fetare të ritit ortodoks.Deri tani afro 300 persona janë dënuar në lidhje me aktet e dhunës.
Në kishat e manastiret ortodokse sot janë mbajtur mesha në, përkujtim të viktimave të para pesë viteve, ndërsa përfaqësuesit politikë të serbëve kanë kërkuar nga autoritetet ndërkombëtarë që të bëhet më shumë për mbrojtjen e pakicës serbe dhe për të dënuar përgjegjësit për ngjarjet e muajit mars të vitit 2004.
Rangjel Nojkic nga Këshilli Kombëtar Serb tha se 17 marsi kujtohet me dhimbje nga serbët e Kosovës. Pesë vjet më vonë serbët thotë ai ndjehen të rrezikuar por ndryshe nga marsi i vitit të kaluar.
“Ky 17 mars i vitit 2009 do të përkujtohet si periudhë e trysnisë institucionale”, tha Rangjel Nojkiq, duke vënë theksin në sic tha si vështirësitë me të cilat përballen serbët në jetën e tyre të përditshme.
Ministri i jashtëm i Serbisë Vuk Jeremiq, ka deklaruar gjatë një vizite në Vatikan se në Kosovë objektet fetare të krishtera janë më të rrezikuarat në Evropë. Por autoritetet në Kosovë i hodhën poshtë vlerësimet e tilla.
Ministri i Kulturës në Qeverinë e Kosovës, Valton Beqiri tha se institucionet e vendit kanë krijuar tashmë mekanizmat parandalues për përsëritjen e ngjarjeve si ato të marsit të vitit 2004 që sipas tij ishin të vetmet në historinë e shqiptarëve.
”Në gjithë historinë tonë shumëshekullore, ngjarjet marsit 2004 janë një përjashtim i vetmuar. Këto ngjarje të dhunshme janë vlerësuar sit ë dëmshme dhe sit ë tilla janë gjykuar nga institucionet shtetërore dhe ato ndërkombëtare. Kjo tashmë konsiderohet si një aksident I vetmuar dhe i tejkaluar, i cili, në një shtet të ndërtuar mbi parimet e demokracisë evropiane dhe të respektimit të ligjit, nuk mund dhe nuk guxon të përsëritet”, tha ministri Beqiri.
Deri tani, sipas ministrisë së Kulturës, janë kryer 80 për qind e detyrave për rindërtimin e 35 objekteve fetare dhe deri në fund të vitit do të përmbyllen punët për rindërtimin e të gjitha objekteve.
Qeveria e vendit ka investuar 5.5 milion euro për rindërtimin e objekteve fetare, ndërsa vështirësitë janë shfaqur për shkak të refuzimit të Kishës Ortodokse Serbe për bashkëpunim me këtë ministri.
Beogradi dhe serbët e Kosovës kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës dhe institucionet e saj. Një vit më parë një pjesëtarë i policisë së Kombeve të Bashkuara humbi jetën dhe dhjetëra paqeruajtëse u plagosën gjatë trazirave në veriun e Kosovës skenë e kundërshtimeve më të ashpra ndaj pavarësisë së vendit. //bsa//