Lidhje

Kosovë: Debate për çështjen e personave të zhdukur


Përfaqësues të qeverisë dhe organizatave që merren me çështjen e peronave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë debatuan sot për rrugët e bashkërendimit të procesit të ndriçimit të këtij problemi. Aktualisht i panjohur mbetet fati i rreth 2 mijë personave, pjesa më e madhe e të cilëve shqiptarë të Kosovës. Familjarë të personave të zhdukur kanë kërkuar nga autoritetet përshpejtimin e procesit të identifikimit të 400 trupave që ndodhen në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Përfaqësues të qeverisë së Kosovës shfaqën sot shpresën se Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara mund të debatojë për zgjidhjen e fatit të rreth 2 mijë personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Kjo mundësi u përmend sot nga zëvendëskryeministri i Kosovës Ramë Manaj pas takimit bashkërendues me organizatat që merren me këtë çështje.

Takimi i sotëm ishte pjesë e marrëveshjes së ofruar nga Qeveria e Kosovës për një grup nënash të personave të zhdukur që ditë më parë filluan një grevë me kërkesat për përshpejtimin e procesit të identifikimit të 400 trupave që ndodhen në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Zëvendëskryeministri Manaj tha se ndriçimi i fatit të të zhdukurve do të jetë një proces i vështirë që do të përfshijë edhe nevojën e zhvarrimeve atje ku dyshohet se nuk është bërë identifikimi i saktë i trupave. “Natyrisht është problem mjaft delikat, mjaft sensibël, mjaft i ndjeshëm që paragjykojmë se nuk mund të pranohet shumë lehtë dhe mirë. Megjithatë ne duam sa më shpejt që të jetë e mundur me shifra të sakta të arrijmë tek përfundimi. Një numër që mbetet, logjika e çështjes çon në hulumtimin e rasteve të varrimeve pa testet e ADN-së”, tha zv/kryeministri Manaj.

Nesrete Kumnova nga shoqata “Thirrjet e nënave” tha se familjarët edhe sot kërkuan më shumë veprime konkrete për zgjidhjen e kësaj çështjeje., për të cilën ajo kishte hyrë në grevë para pak ditësh për ta ndërpresë atë në pritje të një zgjidhjeje. “Ne e kemi ndërprerë grevën përkohësisht. Nëse nuk do të shohim rezultate sikur sot që nuk kemi marrë asnjë rezultat po secili e ka treguar punën që po e bënë. Dhe ne jemi të pakënaqur se këto fjalë janë rutinë që 10 vjet. Mirëpo dojmë konkretisht që më të dashurit tanë t’u kthehen familjeve të veta”, tha zonja Kumnova.

Arsim Gërxhaliu nga Instituti i Mjekësisë Ligjore thotë se janë një varg problemesh të trashëguara që po e pengojnë procesin e identifikimit të trupave që ndodhën në këtë institut. “Ne vetëm jemi ata të cilët i mbajnë mostrat, apo mbetjet mortore në frigoriferët tanë. Thjeshtë i ruajmë deri në momentin kur në baza shkencore ata identifikohen”, tha zoti Gerxhaliu.

Kosova doli nga lufta me mbi 5 mijë të zhdukur, ndërsa edhe dhjetë vjet pas saj numëron edhe 1 mijë e 918 persona të pagjetur, pjesa më e madhe e të cilëve janë shqiptarë të Kosovës. Një pjesë e trupave të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës janë zbuluar në varreza masive në Serbi kryesisht në qendrat e stërvitjeve të forcave të posaçme të policisë serbe. Trupat janë dërguar atje në përpjekje të forcave serbe për të fshehur gjurmët e mizorive të tyre në Kosovë.

Komiteti Ndërkombëtarë i Kryqit të Kuq ka filluar katër vjet më parë ndërmjetësimin e bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për çështjen e të zhdukurve, por edhe më tej rezultatet janë të pakta. //mm//

XS
SM
MD
LG