Lidhje

Presidenti Obama nuk tërhiqet nga planet ambicioze në 100 ditët e para


Presidenti Barak Obama ka mbërritur në gjysmën e 100 ditëve të tij të para në detyrë, afat që tradicionalisht shërben për të vlerësuar punën e presidentëve. Zoti Obama ka parashtruar objektiva ambicioze që janë përqendruar tek rimëkëmbja e ekonomisë amerikane. Por, siç njofton korrespondenti Xhim Maloun, disa kritikë dhe ekspertë po shtrojnë pyetjen nëse presidenti po përpiqet të bëjë shumë gjëra brenda një kohe të shkurtër.

Që në ditën e tij të parë në detyrë gjatë fjalimit të inaugurimit, Barak Obama, premtoi një mandat presidencial ambicioz.

"Sot po ju them se sfidat para nesh janë reale. Ato janë të shumta dhe serioze. Nuk do t’i arrijmë shpejt dhe lehtësisht. Por, Amerikë, ju them se do t’i realizojmë ato”.

Përparësia e parë dhe më e rëndësishme për zotin Obama u bë ekonomia amerikane. Por ai veproi shpejt duke nisur proçesin e vënies nën kontroll të kostos së kujdesit shëndetësor, duke zgjeruar në të njëjtën kohë sigurimin shëndetësor për ata që nuk e gëzojnë atë.

Presidenti i ri ka premtuar reforma në arsim dhe në energji. Për disa kritikë të objektivave të tij, siç është senatori republikan nga Tenesi, Lamar Aleksander, plani thjesht është tepër ambicioz.

"Presidentët kanë shumë probleme për të zgjidhur. Por nuk do të thotë se mënyra më e zgjuar për të vepruar është të zgjidhësh gjithçka përnjëherë”.


Por në ditën e tij të 50-të në detyrë, zoti Obama dukej i bindur të vazhdonte me planet e tij.

"E di se disa besojnë se ne mund t’i zgjidhim gjërat një nga një. Nuk e kemi luksin të zgjedhim mes planeve afatshkurtra dhe atyre afatgjata”.

Presidenti Obama tanimë ka mbërritur në gjysmën e 100 ditëshit në detyrë. Ashtu si paraardhësit e tij, suksesi i zotit Obama po matet me atë të presidentit Frenklin Ruzvelt, i cili erdhi në Shtëpinë e Bardhë në kohën e Depresionit të Madh të vitit 1933. Ja si shprehet Xheremi Majër, ekspert i politikave presidenciale në universitetin George Mason në Virxhinia:

“Kjo traditë ka lindur nga 100 ditët e para të presidentit Frenklin Ruzvelt. Ai u inaugurua më 4 mars 1933, siç ishte tradita e atëhershme, dhe kreu jashtëzakonisht shumë punë. Asnjëherë nuk janë bërë kaq shumë punë në kaq pak kohë”.


Presidenti Ruzvelt i vuri vetes një sërë detyrash në atë kohë, që nga rivënia në funksion e bankave e deri tek ulja e papunësisë që arriti shifrat 25%. Por megjithë punën e madhe që u bë, ekonomia mori kohë të përmirësohej.

Natyrisht, presidenti Obama shpreson të ketë një kthesë ekonomike më të shpejtë gjatë mandatit të tij. Ai mund t’i referohet një arritjeje të madhe deri më tani, që është miratimi i stimulit gjigand ekonomik.

Por disa ekpertë vënë në pyetje nëse populli amerikan do t’i japë presidentit Obama kohë të mjaftueshme që politikat e tij të kenë rezultatet.

Stivën Uejn është ekspert i qeverisjes në universitetin Georgetown në Uashington.

"Asnjëherë nuk kemi qënë popull shumë i durueshëm. Por, nga ana tjetër, zoti Obama mbetet shumë popullor, shumë më tepër sesa republikanët në Kongres”.

Shumë ekspertë besojnë se fati politik i zotit Obama do të varet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga e ardhmja e ekonomisë amerikane vitet e ardhshme.

Por, Presidenti i ri i ka pasur duart plot edhe me çështje të tjera si siguria kombëtare dhe politikat e jashtme.

Zoti Obama ka urdhëruar mbylljen e burgut të Guantanamos, ka rishikuar politikat e marrjes në pyetje të të burgosurve, ka vënë një afat për tërheqjen e trupave amerikane nga Iraku si dhe ka urdhëruar dërgimin e 17 mijë trupave shtesë në Afganistan. //ek

XS
SM
MD
LG