Lidhje

Bernanke: Është koha për veprime “agresive” në ekonomi


Kreu i Bankës Qendrore amerikane tha se është koha për veprime “agresive” për të rigjallëruar ekonominë, edhe nëse kjo nënkupton një rritje të madhe të borxhit qeveritar.

Kryetari i Rezervës Federale, Ben Bernanke tha para një komisioni të Kongresit se nëse nuk veprohet, kjo mund të çojë në shkurtim të vendeve të punës, të prodhimit dhe të të ardhurave për një periudhë të gjatë.

Tregjet amerikane të aksioneve u mbyllën edhe dje me humbje. Treguesi Standard and Poor's 500 për herë të parë ra nën nivelin e vitit 1996.

Firmat amerikane të prodhimit të makinave njoftuan se shitjet e tyre kanë rënë ndjeshëm krahasuar me një vit më parë. Në muajin shkurt, shitjet e kompanisë General Motors ranë 53 përqind, Ford Motor humbi 48 përqind ndërsa Krajsler 44 përqind.

Presidenti Barak Obama propozoi kohët e fundit një buxhet i cili e rrit deficitin në mënyrë dramatike në rreth 1,8 trilion dollarë, pjesërisht sepse financon programe që synojnë shtimin e vendeve të punës dhe stimulimin e kreditit bankar.

Sekretari amerikan i Thesarit, Timothi Gajtner e mori në mbrojtje planin e buxhetit gjatë dëshmisë që dha të martën përpara një komisioni të Kongresit. Ai tha se plani i shpenzimeve do të nxisë rritjen ekonomike të vendit në masën 1 përqind për këtë vit dhe më tepër në vitin 2010.

Recesioni në Shtetet e Bashkuara filloi për shkak të problemeve në tregun e shtëpive dhe të dhënat e publikuara dje nga qeveria tregojnë se ky sektor vazhdon të jetë nën një trysni të madhe. Shoqata Kombëtare e Agjentëve të Pronave të Patundëshme, tha se numri i shitjeve të shtëpive ra 7.7 përqind në muajin janar në krahasim me një muaj më parë duke arritur nivelin më të ulët në 8 vjet.//ii

XS
SM
MD
LG