Lidhje

Kosova feston 1-vjetorin e pavarësisë


Në një mbledhje solemne, për nder të një vjetorit të shpalljes së pavarësisë, deputetët e parlamentit falenderuan të gjitha vendet që e kanë ndihmuar Kosovën në vitin e parë si shtet i pavarur. Miratimi i ligjeve që dalin nga propozimi i krye negociatorit të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari, hyrja në fuqi e kushtetutës, nxjerrja e simboleve shtetërore, si dhe njohjet që ka gëzuar pavarësia e Kosovës nga 54 vende të botës, cilësohen si të arriturat më të mëdha në vitin e parë të Kosovës së pavarur. Udhëheqësit politikë bënë thirrje për qetësi dhe pajtim. Ata i bënë thirrje edhe Beogradit që të njohe pavarësinë e Kosovës dhe që të dyja vendet të fillojnë procesin e pajtimit historik.

"Nga të gjithë fqinjët tanë, vetëm Republika e Serbisë nuk e ka njohur shtetin e Kosovës dhe nuk ka denjuar të ketë marrëdhënie me të. Ne, megjithatë vazhdojmë ta mbajmë dorën e zgjatur dhe e ftojmë Republikën e Serbisë që ta njohë realitetin e ri të Kosovës së pavarur dhe të dy vendet të fillojnë menjëherë procesin e pajtimit historik dhe epokën e bashkëpunimit e të marrëdhënieve të mira, në dobi të të dy vendeve dhe popujve, në dobi të paqes e stabilitetit rajonal si dhe të integrimeve evropiane të Ballkanit Perëndimor", tha kryetari i parlamentit, Jakup Krasniqi në mbledhjen solemne të Parlamentit.

Duke pranuar se vendi gjatë një viti kaloi nëpër një periudhë të ndjeshme politike, udhëheqësit në Prishtinë thanë se një vit pas shpalljes shtet i pavarur dhe sovran, Kosova bëri hapa të kujdesshëm, por vitalë, siç thanë ata, për ngritjen e institucioneve demokratike dhe dëshmimin e plotë se ajo ndihmon fuqishëm paqen dhe qëndrueshmërinë në rajon.

"Para një viti u realizua projekti më i madh që kishin synim shumë breza, një projekt që sot simbolizohet edhe me emrat e dy heronjve të mëdhenj të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, lider shpirtëror dhe politik i pavarësisë dhe Adem Jasharin, hero i luftës çlirimtare për liri...", thotë presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu.

"Çdo qytetar ka hise në pavarësinë e Kosovës, secili le të ndihet krenar me të arriturat e përbashkëta. Sot, festohet në çdo familje, qytet, fshat e lagje kudo dhe në diasporë....", thotë kryeministri Hashim Thaci

Më 17 shkurt të vitit të kaluar, pas gati 9 vitesh nën administrimin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, parlamenti shpalli pavarësinë dhe Kosova u bë shteti më i ri në botë.

Njëzet e katër orë pas shpalljes së pavarësisë ajo u njoh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kjo u pasua edhe nga vendet tjera më të fuqishme perëndimore. Gjatë vitit të parë vendi u njoh nga 54 vende të botës. Shpallja e pavarësisë nxiti zemërimin e Beogradit dhe serbëve të Kosovës.

Viti i parë i Kosovës së pavarur është shënuar me protesta të herëpashershme të qytetarëve serbë. Pjesëtarë të këtij komuniteti kanë protestuar edhe sot kundër pavarësisë.

Integrimi i këtij komuniteti, shihet si sfida më e madhe për institucionet e vendase e ndërkombëtare në Kosovë, sikundër edhe zhvillimi ekonomik i vendit, reformimi i sistemit gjyqësor dhe shtimi i numrit të njohjeve për pavarësinë.

Pozita dhe opozita komentojnë vitin e parë të pavarësisë

Ku është Kosova në vitin e parë të pavarësisë? Mendimet për këtë janë të ndryshme. Pushteti dhe opozita pajtohen se ishte vit i madh dhe me rëndësi historike. Por vlerësimet për arritjet brenda vitit janë të ndryshme. Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, thotë se viti i parë i pavarësisë është periudhë historike që ka përmbushur aspiratat e qytetarëve të vendit. "Vit në të cilin Kosova e ka dëshmuar vetveten për qëndrueshmërinë e saj si shtet sovran dhe demokratik, ka dëshmuar vetveten për përmbushjen asaj që mund të quhet bazë e parë e të pritjeve të qytetarëve në kuptimin të drejtave dhe lirive njerëzore me stabilitetin e vendit, me përpjekjet e pandërprera për zhvillim ekonomik, me njohjet e rëndësishme ndërkombëtare që i janë dhënë Kosovës, me hapjen e misioneve diplomatike të Kosovës, me një qasje të rëndësishme të raporteve të mira me fqinj dhe me vendet e tjera të rajonit dhe natyrisht, vendet e botës demokratike, me një përmbyllje të rëndësishme të korpusit legjislativ të saj, me miratimin e Kushtetutës së Republikës, me miratimin e ligjeve të rëndësishme që dalin nga pakoja e presidentit Ahtisaari, me formësimin edhe të institucioneve të tjera vitale për shtetin e Kosovës, sikur që është forca e Sigurisë së Kosovës, Agjencia Kosovare e Inteligjencës dhe së fundi edhe Këshilli Nacional i Sigurisë", tha presidenti Sejdiu.

Edhe udhëheqës të opozitës e vlerësojnë shpalljen e pavarësisë si ngjarje historike, por tërheqin vërejtjen se nuk është bërë sa duhet për funksionalizimin e shtetit të ri. Kryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Nexhat Daci dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj thonë se shume çështje kanë mbetur të paprekura. "Ndoshta distance kohore është e vogël, 1 vit, por janë të freskëta kujtimet. Ngazëllimi dhe ndjenja po I takon një gjenerate ose një formacioni që më në fund po e bënte realitet atë të ëndërruar shumë gjenerata. Mund të them sa jam ndier shumë krenar që jam nënshkrues I asaj deklarate dhe është gëzimi I dytë më I madh në jetë, sepse I pari ka qenë kur helikopterët amerikan janë lëshuar në Velani në qershor të viti 1999, kur e kam parë se kam mbetur gjallë me gruan dhe me djalin nga podrumet, dhe ky ishte gëzimi I madh I një gjenerate …Por, fatkeqësisht filloi të zbehet shpejtë ajo ndjenjë e shanseve shumë të mëdha e ëndrrave që ne mendonim se janë reale dhe një vit I realizimeve tejet modeste, tha zoti Daci

"Të gjithë ne jemi të gëzuar dhe të vetëdijshëm për vendimet që i kemi marrë, për të qenë shtet. Ajo që sot na preokupon ose që është në ndjenjat tona, sa m zotësi i kryem ne punët e shtëpisë, pra qeverisjen e vendit. Besoj se shumë sfida që i ka Kosova e meritojnë një kujdes më serioz për këto sfida nga ne, nga populli i Kosovës por edhe nga institucionet e vendit. Kemi trashëguar një situatë ekonomike jo të lehtë, e cila po vështirësohet këtë vit, një situatë me rendin dhe ligjin veçanërisht në veri jo të duhur dhe një qeverisje e cila nuk lejon zhytjen në korrupsion", theksoi zoti Haradina.

Të gjithë pajtohen se viti i dytë i pavarësisë mund të jetë më i vështirë për shkak të sfidave të mëdha që ndodhen përpara vendit. //ad//

XS
SM
MD
LG