Në përvjetorin e parë të pavarësisë së Kosovës, analistët thonë se arritjet e vendit meritojnë të lavdërohen, dhe ai është kthyer në një faktor stabiliteti në rajon, megjithë problemet e mëdha që i duhet të zgjidhë për të gëzuar pavarësinë e tij të plotë. Xhejms Dobins, Drejtor i Qendrës për Sigurimin Ndërkombëtar dhe Politikat e Mbrojtjes në korporatën RAND, thotë se të gjitha këto përpjekje do të njihen nga komuniteti ndërkombëtar. Zoti Dobins vë në dukje gjithashtu edhe interesin e administratës Obama në vazhdimësinë e politikës së jashtme amerikane në Kosovë dhe më gjerë në Ballkan. Kolegia Isabela Çoçoli bisedoi me zotin Dobins dhe përgatiti materialin.
Xhejms Dobins, thotë se gjendja në Kosovë është e qetë, por ekziston një nervozizëm i ndjeshëm në popullatën e vendit pasi pavarësia është njohur jo me atë shpejtësi që ndoshta pritej.Megjithëse është e zakonshme në raste të tilla të vihet re shuarja e euforisë pas festimeve madhështore të pavarësisë dhe njohjes së saj, fillimisht nga shumica e vendeve të Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, si dhe vende të tjera të botës, një ndjenjë normaliteti ka hedhur rrënjë.
Një tjetër faktor që i shtohet këtij nervozizmi janë mosmarrëveshejt dhe çështjet e pazgjidhura në Bashkimin Evropian dhe divergjencat me popullatën serbe në veri. Shumë nga këto probleme nuk do të zgjidhen shpejt, thotë zoti Dobins, dhe thekson se sfidat ndaj pavarësisë së plotë të Kosovës do të eliminoheshin nëse popullata serbe do të integrohej në shtetin e ri të Kosovës dhe Serbia do ta njihte pavarësinë e tij, zhvillim që nuk ka të ngjarë të shihet në një të ardhme të afërt, edhe pse është kusht për integrimin e kësaj të fundit në strukturat euroatlantike. Megjithatë, thotë ai, pavarësia e plotë e Kosovës nuk varet nga këta faktorë.
“Për sa kohë që situata të jetë e qetë dhe qeveria e Kosovës të vazhdojë të bëjë përpjekje të sinqerta për zgjidhjen e këtyre problemeve, mendoj se komuniteti ndërkombëtar do t’ia njohë këto merita dhe mbështetja për të do të shtohet dhe eventualisht më shumë vende do ta njohin Kosovën”.
Pavarësia e Kosovës është njohur tashmë nga 54 vende dhe zoti Dobins thotë se kjo nuk është një shifër e vogël si fillim dhe nuk ka asnjë arsye për të qënë pesimistë edhe pse janë rreth 120 vende të tjera që mbeten ta njohin shtetin e ri.Udhëheqja e Kosovës duhet të punojë me këmbëngulje në këtë drejtim, thotë analisti i korporatës RAND.
“Qeveria e Kosovës duhet të vazhdojë përpjekjet për një mirëkuptim më të madh në komunitetin ndërkombëtar, duke argumentuar arsyet e pavarësisë dhe masat që ka marrë për të qeverisur me përgjegjësi”.
Pyetjes së Zërit të Amerikës se ku qendron Kosova sot në politikës e jashtme amerikane, duke patur parasysh se Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara në dy luftra, në Afganistan dhe Irak, si dhe ndeshen me krizën më të rëndë financiare në dekada, zoti Dobins i përgjigjet se mbështetja amerikane për Kosovën do të vazhdojë dhe nuk do të ketë asnjë ndryshim në kahje të kundërt. Administrata demokrate, thotë ai, ka një ndjenjë përgjegjësie dhe paternaliteti për Ballkanin në përgjithësi dhe Kosovën në veçanti, pasi ka qënë edhe një nga përparësitë e politikës së jashtme të administratës Klinton dhe të vetë zonjës Klinton, tani Sekretare e Shtetit.
“Mendoj se interesi dhe angazhimi në Ballkan do të vazhdojë, por për fat të mirë ky nuk është një rajon në krizë. Do të shikojmë në përgjithësi një vazhdimësi të politikës së Presidentit Bush, ndoshta pak më shumë vemendje, duke patur parasysh historinë e Partisë Demokrate me Ballkanin dhe përvojën e administratës Klinton. Por në përgjithësi administrata Bushndoqi politikën e administratës Klinton në Ballkan, ajo nuk devijoi prej saj siç bëri në ranoje të tjera të botës. Prandaj, mendoj se në Kosovë si dhe në gjithë rajonin do të ruhet vazhdimësia në politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara”.
Në përgjithësi analistët në Uashington e shikojnë pozitivisht ecurinë e zhvillimeve në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008 dhe vlerësojnë udhëheqjen e vendit për përpjekjet, vendosmërinë dhe maturinë e saj në trajtimin e problemeve komplekse që ndesh shteti i ri i Kosovës. //iç//