Paqeruajtësit e Bashkimit Evropian dhe të NATO-s, të mbështetur nga policia e serbëve të Bosnjes, kanë kontrolluar shtëpitë në një lagje të Sarajevës të dy të afërmve të ish komandantit të ushtritë, Ratko Mlladiç, të akuzuar për krime lufte.
Një zëdhënës i BE-së tha se Gjykata e OKB-së për krimet e luftës dha urdhër për kontrollin e shtëpive të motrës së Mlladiçit dhe kunatës së tij, për të mësuar se ku ndodhet ai. Sipas zëdhënësit, banorët e shtëpive nuk e refuzuan kontrollin.
Gjykata e Hagës e ngriti akt-padinë ndaj Mlladiçit, ish-komandant i forcave serbe në Bosnje-Hercegovinë në vitin 1995 për genocid dhe akuza të tjera për rolin e tij në sulmet kundër civilëve gjatë konfliktit të Ballkanit në vitet 1990.
Me arrestimin e ish-udhëheqësit të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç vitin e kaluar, Mlladiç dhe ish-udhëheqësi i serbëve të Kroacisë Goran Haxhiç mbeten dy personat më të kërkuar ende në arrati pas konflikteve të Ballkanit. (ze)