Liga profesioniste e futbollit amerikan kurorëzoi një kampion të ri, ekipin Steelers të Pitsburgut, i cili fitoi në finalen e kampionatit përballë ekipit “Cardinals” të Arizonës.
Ndeshja u karakterizua nga një epërsi e përgjithshme gjatë gjithë lojës e ekipit Steelers, që ishte favoriti në këtë ndeshje. Por me afrimin e minutave të fundit të ndeshjes, Cardinals siguruan epërsinë me një pas të gjatë nga lojtari Kurt Warner tek Larry Fitzgerald, ylli i ekipit. Me këtë aksion ekipi Cardinals ishte tani 3 pikë para Steelers.
Por fitorja do t’i buzëqeshte ekipit favorit, Steelers, të cilët përmbysën rezultatin në 35 sekondat e fundit të lojës, duke e mbyllur lojën 27 me 23.
Ekipi “Steelers” është i pari që arrin 6 fitore të kampionatit Superbowl-it. Superbowli është ngjarja më e parë televizive e gjithë vitit. Megjithë problemet ekonomike, kompanitë u përpoqën të tërhiqnin klientët, me reklama që dallohen për sens humori, dhe mbi të gjitha për çmimin shumë të lartë. Gjatë ndeshjes së djeshme, një reklamë 30 sekondëshe kushtonte 3 milionë dollarë.
Superbowli është një moment i ngarkuar edhe për shumë klube, ku tifozët ndjekin ndeshjen, si dhe për dyqanet e artikujve ushqimore, pasi shumë amerikanë mblidhen për të parë ndeshjen me familjen e miqtë, me të ngrëna dhe me pije.
Për të katërtën herë në historinë e kampionatit të futbollit amerikan, finalja u zhvillua në Tampa të Floridës, ku falë pozitës gjeografike, megjithëse fillimi i shkurtit, temperatura ishte mbi 17 gradë celcius. //ek