Lidhje

Riçard Hollbruk pritet të fillojë udhëtimet diplomatike


I dërguari i posaçëm i administratës së zotit Obama për Afganistanin dhe Pakistanin, Riçard Hollbruk, po përgatitet për udhëtimin e tij të parë jashtë vendit në rolin e tij të ri. Ish Ndihmës Sekretari i Shtetit dhe Ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara, zoti Hollbruk, do të vizitojë Azinë Jugore, pasi të ketë marrë pjesë në konferecën për sigurinë ndërkombëtare në Gjermani, në fund të javës së ardhshme.

Zyrtarët në Departamentin e Shtetit nuk dhanë ndonjë detaj rreth udhëtimit të zotit Hollbruk, por ata thanë se ai do të vizitojë Pakistanin dhe Afganistanin, dhe me siguri disa vende të tjera në rajon. Ky udhëtim do të shërbejë për të mbledhur informacione dhe prova, ndërsa administrata e re po rishqyrton politikat e saj për konfliktin në Afganistan.

Zoti Hollbruk, figurë kryesore në bisedimet e paqes, të cilat i dhanë fund konfliktit të viteve 1990 në Ballkan, u emërua në këtë post javën e kaluar, së bashku me ish udhëheqësin e shumicës në Senat, Xhorxh Mitçell, i cili ka filluar misionin e tij të parë si i dërguari special për konfliktin izraelito-palestinez.

Zëdhënësi i përkohshëm i Departamentit të Shtetit, Robert Ud, tha se zoti Hollbruk, ashtu sikurse zoti Mitçell në Lindjen e Mesme, do të jetë i përfshirë në një udhëtim diplomatik në Azinë jugore dhe pastaj do të njoftojë presidentin Obama dhe Sekretarën e Shtetit Hillari Klinton lidhur me këtë udhëtim.

“Ai dëshiron të flasë me udhëheqësit në rajon, dhe po ashtu të dëgjojë nga ata se çfarë kanë për të thënë lidhur me atë që është e nevojshme për të bërë për te përmirësuar situatën në rajon”.

Zoti Ud tha se pritet që zoti Hollbruk do të largohet nga Uashingtoni për në Europë nga mesi i javës së ardhshme, ku do të marrë pjesë në një konferencë në Mynih për politikat e sigurisë, e cila fillon me 6 shkurt dhe më pas ai do të niset për në Azinë Jugore.

Ai tha se takimi në Mynih, po ashtu i njohur si konferenca Uehrkunde, do të jetë një mundësi për të dërguarin e posaçëm, për të biseduar me aleatët Europianë rreth konfliktit në Afganistan dhe trazirave kufitare në Pakistan. Këto bisedime do të shërbejnë si pjesë e procesit të rishqyrtimit të politikave nga administrata e re e zotit Obama.

Presidenti pritet të njoftojë për një shtim të madh të numrit të ushtarëve amerikane prej 36 mijë vetësh që janë të angazhuar tani në Afganistan.

Por, një diplomat i lartë amerikan tha dje se Sekretarja Klinton është e bindur se Shtetet e Bashkuara dhe Nato-ja nuk mund të kenë sukses në Afganistan pa gërshetimin e veprimeve të fushës politike, të zhvillimit dhe ushtarake, dhe së fundi të një zgjidhjeje politike për konfliktin.

Zëvendës-presidenti Xho Bajden dhe Këshilltari i Sigurisë Kombëtare në Shtëpin e Bardhë, Xhejms Xhons, po ashtu do të marrin pjesë në konferencën e Mynihut, që pritet të jetë pjesëmarrja e parë e administratës së re në politikat e jashtme. //ap//

XS
SM
MD
LG