Lidhje

NATO do të ndihmojë Shqipërinë për shkatërrimin e municioneve


Komandanti i Flotës Detare Amerikane në Europë dhe Komandant i Forcave Aleate në Napoli, Admirali Mark P. Fitxherald deklaroi në Tiranë se NATO është e gatshme që të ndihmojë Shipërinë në shkatërrimin e municioneve të vjetra, si pjesë e përpjekjeve për t’u antarësuar në NATO.

Admirali Fitxherald i bëri këto komente gjatë një vizite në Tiranë pas takimit me presidentin Bamir Topi.

“Ne jemi të gatshëm ta ndihmojmë Shqipërinë për eleminimin e municioneve të tepërta". - tha admiral Fitxherald. - Po ashtu do të ndihmojmë për hartimin dhe miratimin e ligjeve të duhura përsa i përket reformës në sektorin e sigurisë.

"Shqipëria ka shënuar një përparim të jashtëzakonshëm. Hyrja në NATO nuk është fundi, por është një fillim; ka shumë gjëra të tjera për të bërë, ne do t’i bëjmë këto bashkë si partnerë, duke bashkëpunuar më ngushtësisht edhe në të ardhmen” – tha admiral Fitxherald.

Komandanti i Flotës Detare Amerikane në Europë dhe Komandant i Forcave Aleate në Napoli, Admirali Mark P. Fitxherald tha se Shqipëria ka bërë shumë për paqen dhe qëndrueshmërinë në Ballkan. Ai vlerësoi edhe kontributin e Shqipërisë në forcat ndërkombëtare në Afganistan, në vende si Iraku, Bosnje-Hercegovinë, ashtu dhe në Mesdhe. Po ashtu edhe pjesëmarrjen në misionet e Kombeve të Bashkuara në Gjeorgji dhe në Çad.

Të gjitha këto pjesëmarrje - tha admirali Fitxherald - kanë provuar se Shqipëria është me të vërtetë një anëtare e bashksëisë ndërkombëtare.

Ndërsa presidenti Bamir Topi u shpreh optimist për antarësimin e plotë të Shqipërisë në Nato në në 4 prill të këtij viti në Strasburg, nje vit pasi mori ftesën në samitin e Bukureshtit. Ai tha se midis Shqipërisë dhe NATO-s ekziston tashmë një partneritet mjaft i qëndrueshëm.

Zoti Topi tha se cështje si caktivizimi i municioneve janë shumë të ndjeshme për shoqërinë shqiptare dhe se diskutoi me admiralin amerikan që ky të jetë një proces konstant, i pandërprerë, i ndjekur në mënyrë profesionale, në bashkëpunim me strukturat e NATO-s dhe në mënyrë që të mos ndodhin më situata dramatike, që vijnë nga ky lloj aktiviteti. //kk//

XS
SM
MD
LG