Ceremonia e betimit e Barak Obamës më 20 janar pritet të tërheqë një numër të jashtëzakonshëm njerëzish, duke vendosur ndoshta një rekord për një inaugurim presidencial.
Thuhet se ky numër mund të arrijë në 3 milionë por edhe nëse vijnë vetëm gjysma e tyre do ishte pjesëmarrja më e madhe në historinë e ceremonive të tilla. Sistemi i metrosë i Uashingtonit do të jetë mënyra kryesore e transportit atë ditë.
Ceremonia e betimit të Barak Obamës, si President i Shteteve të Bashkuara do të jetë një moment historik. Dhe Uashingtoni po bëhet gati për ta përjetuar atë. Kjo ceremoni pritet të tërheqë numrin më të madh ndonjëherë të njerëzve në Uashington për një ngjarje të tillë.
Por si do të mblidhen ata aty? Mjeti kryesor do të jetë metroja. Ky sistem është hapur në vitin 1976 dhe mbulon territorin e Uashingtonit dhe shtrihet deri në rrethinat e tij, të shteteve të Virxhinias dhe Merilendit.
Metroja ka mbi 900 vagona, secili me kapacitet rreth 150 pasagjerë kur është i mbushur me njerëz.
Me një numër pjesëmarrësisht prej të paktën 1 milionësh, metroja ka në plan të hapet në orën 4:00 të mëngjesit, një orë më herët se zakonisht. Steven Tobenkibel, zëdhënës i sistemit të metrosë thotë se shpreson që kjo të parandalojë shndërrimin e ardhjes së turmave në një cunami.
"Ndryshimi është që në mëngjes, kur njerëzit të jenë duke ardhur, do të kemi 7 deri në 8 orë kur pjesëmarrësit do të vijnë në një numër të madh".- thotë ai
Shumë persona që do të marrin metronë do të nisen nga rrethinat e Uashingtonit. Zyrtarët në Virxhinia dhe Merilend thonë se po përgatiten për turmat e mëdha.
Përveç transportit, shqetësimi tjetër për sistemin e metrosë është siguria. Zyrtarët nuk flasin për masat e sigurisë që pritet të jenë pa precedent.
Por ata thonë se i kanë parasysh sulmet e mëparshme terroriste në sistemet e metrosë, si në Madrid në Mars 2004 dhe në Londër në korrik të vitit 2005.
Drejtori i shërbimit sekret amerikan Mark Sullivan thotë se udhëtarët duhet të jenë pjesë e përpjekjes së sigurisë.
"Duhet të jenë vigjilentë, të zgjuar. Dhe duhet të jenë të vëmendshëm ndaj gjërave të dyshimta përreth". - thotë zoti Sullivan
Por për shumë vetë që shkojnë në ceremoninë e betimit, shqetësimi më i madh do të jetë se si do të dalin nga qyteti pas saj.
Kryetari i Bashkisë së Uashingtonit, Adrian Fenti ofron një rrugëzgjidhje për të ardhur dhe për t'u larguar që mund të mos jetë shumë e preferuar në një ditë që pritet të jetë shumë e ftohtë: Duke ecur.//mm//