Izraeli bombardoi përsëri sot Rripin e Gazës ndërkohë që udhëheqësit izraelitë përgatiten të vendosin nëse do t’i japin fund ofensivës tre javore kundër grupit palestinez Hamas.
Në qytetin verior Beit Lahiya, zyrtarët e Kombeve të Bashkuara thonë se dy fëmijë u vranë kur predhat izraelite ranë në një shkollë të administruar nga OKB-ja ku ishin strehuar qindra civilë. Të paktën 14 vetë u plagosën.
Një zëdhënës i agjencisë së ndihmave të OKB-së në Gazë e dënoi sulmin dhe kërkoi hapjen e hetimeve.
Izraeli ka goditur një numër objektesh të OKB-së që nga fillimi i ofensivës. Javën e kaluar, agjencia e ndihmave e OKB-së në Gazë i pezulloi veprimet për shkak të rrezikut që, sipas saj, përbënte ushtria izraelite.
Sulmet e reja izraelite ndërmerren ndërkohë që sipas zyrtarëve, kabineti i sigurimit i kryeministrit Ehud Olmert pritet të votojë rreth një armëpushimi të njëanshëm.