Presidenti i zgjedhur Barak Obama po propozon një plan stimulimi ekonomik prej 800 miliard dollarësh, i cili shfrytëzon fuqinë monetare dhe fiskale të qeverisë për të nxjerrë ekonominë amerikane nga recesioni. Barry Wood i Zërit të Amerikës na sjell pikëpamjet e dy ekonomistëve.
Presidenti i zgjedhur Obama thotë se vetëm qeveria është në gjendje të sigurojë shtytjen e nevojshme afatshkurtër për ta nxjerrë ekonominë nga recesioni i thellë.
Në fjalimin që mbajti në radio më 10 janar, zoti Obama tha se plani i tij për të injektuar miliarda dollarë në ekonominë amerikane do të krijojë 3 deri në 4 milion vende të reja pune brenda 2 vjetëve.
"90 përqind e këtyre vendeve të punës do të krijohen në sektorin privat. Pjesa tjetër prej 10 përqind do të jetë në sektorin publik, kryesisht punë si mësues, policë, zjarrfikës dhe të tjera që sigurojnë shërbime jetike për komunitetet tona."
Plani stimulues i zotit Obama do të përfshijë shpenzime qeveritare dhe shkurtime taksash, propozime të cilat së shpejti do të debatohen në Kongres. Një vit më parë, Presidenti Bush dhe Kongresi Vunë në zbatim një paketë stimulimi shumë më të vogël, prej 168 miliard dollarësh, e cila i dha një shtytje rritjes ekonomike për një kohë të shkurtër, përpara se ekonomia të zhytej përsëri në rënien që kishte filluar në dhjetor 2007.
Ai plan i parë stimulimi, i shoqëruar me shpenzimet e mëdha për luftrat në Irak dhe Afganistan, e ka çuar buxhetin qeveritar në një deficit të thellë.
Edhe përpara planeve të zotit Obama për paketën stimuluese, qeveria amerikane parashikonte një deficit prej 1,2 trilion dollarësh për vitin e tanishëm financiar. Kjo është një sasi e barabartë me 8 përqind të prodhimit ekonomik të vendit.
Kevin Hasset, studiues në Institutin American Enterprise, mendon se shpenzimet qeveritare kanë dalë jashtë kontrollit.
"Deficiti për vitin tjetër, nëse e miratojmë planin stimulues të Obamës...do të jetë më i madh se sa vetë buxheti qeveritar kur u zgjodh Presidenti Bush."
Martin Baily, ndihmës kryesor për ekonominë i ish Presidentit Klinton, shtron pyetjen nëse të huajt do të vazhdojnë të blejnë bonot e thesarit amerikan, gjë që është e domosdoshme për të mbuluar deficitin qeveritar që rritet me shpejtësi.
"Mendoj se ky është një rrezik. Është tepër e pasigurt se në ç’drejtim po shkon ekonomia. Është e mundur që ajo të përmirësohet më me shpejtësi dhe më me forcë se sa mendojnë këshilltarët e tanishëm të administratës Bush. Në këtë rast, Banka Qendrore do të duhej të shpejtonte për të kontrolluar një pjesë të parave që ka hedhur në qarkullim."
Në një konferencë të mbajtur dje në Uashinmgton për çështjen e planit të stimulimit, folësit, mes tyre edhe ekonomistët Hassett dhe Baily, shprehën shqetësim për efektet inflacioniste që mund të kishin si shpenzimet e mëdha qeveritare ashtu edhe rritja e shpejtë e parasë së re të vënë në qarkullim.
Megjithatë, shumica e ekonomistëve janë dakord me idenë se ashpërsia e paparë e krizës së kreditit dhe ngadalësimi ekonomik global kërkojnë masa të jashtëzakonshme për të ruajtur fuqinë blerëse të konsumatorëve. //ii