Lidhje

Hillari Klinton para senatorëve në seancën e konfirmimit


Hillari Klinton e emëruar në postin e Sekretares së Shtetit në administratën e ardhshme, tha sot gjatë seancës së konfirmimit në Senat se administrata e Presidentit Obama do të theksojë diplomacinë në marrëdhëniet ndërkombëtare, ku diplomacia do të luajë rolin kryesor.

Zonja Klinton ishte thirrur sot për të dëshmuar në Komisionin e Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë.

Zonja Klinton nuk i bëri ndonjë kritikë të drejtpërdrejtë administratës së Presidentit Bush, por ajo la qartazi të kuptohej se kjo administratë ishte e ideologjizuar së tepërmi dhe mbështetej forca ushtarake, në vend që të mbështetej tek diplomacia, për të ushtruar ndikimin amerikan në botë.

Në komentet e saj para Komisionit të senatit për Marrëdhëniet em Jashtë, Sekretarja e emëruar e Shtetit tha se administrata e re e Presidentit Obama do të synojë të krijojë një botë me “më shumë partnerë dhe me më pak kundërshtarë”.

Zonja Klinton tha se Presidenti i zgjedhur Obama beson se politika e jashtme duhet të bazohet në një kombinim parimesh dhe tek pragmatizmi dhe jo tek ideologjia e ngushtë, emocionet apo paragjykimet.

“Ne duhet të përdorim atë që është quajtur “forca e mençur ”, diapazonin e gjerë të mjeteve që kemi në dispozicion, ato diplomatike, ekonomike, ushtarake, politike, ligjore, kulturore duke zgjedhur mjetin e duhur ose kombinimin e duhur, për çdo situatë. Diplomacia do të jetë në krye të politikës sonë të jashtme. Kjo nuk është ndonjë ide radikale. Poeti romak i lashtësisë Terrence, ka theksuar se në çdo përpjekje, rruga e përshtatshme që duhet të ndjekin në fillim burrat e mençur, është bindja. E njejta vlerë, vlen edhe për gratë e mençura”.

Zonja Klinton la të kuptohet se ajo do ta forcojë më tej trupin diplomatik, duke theksuar se Sekretari i Mbrojtes, Robert Gejts, republikan, i cili do të vazhdojë të qëndrojë në detyrë edhe në administratën e re, ka theksuar se Departamenti i Shtetit dhe agjencitë e tjera civile amerikane që veprojnë në vende të tjera, kanë pasur mungesë të theksuar fondesh dhe personeli për një kohë shumë të gjatë.

Sekretarja e emëruar e Shtetit, parashtroi parimet e përgjithshme të administratës së re, por dha pak hollësi konkrete, duke thënë se çështje të tilla jetike, si ideja e hapjes së një misioni diplomatik amerikan në Iran, është ende në shqyrtim.

Zonja Klinton theksoi vazhdimin e angazhimit amerikan në përpjekjet për paqe izraelito-palestineze, duke shprehur shqetësim për viktimat në radhët e civilëve nga të dyja palët si rezultat i konfliktit të fundit në Gazë.

“Presidenti i zgjedhur dhe unë e kuptojmë dëshirën e Izraelit për t’u vetëmbrojtur në kushtet aktuale dhe dëshirën që të mos bëhet objekt sulmesh nga raketat e Hamasit. Megjithatë kemi parë edhe koston tragjike humanitare të konfliktit në Lindjen e Mesme dhe jemi prekur nga vuajtjet e civilëve izraelitë dhe palestinezë. Kjo nuk duhet të bëjë tjetër veçse të rrisë vendosmërinë tonë për një marrëveshje, për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, që i sjell Izraelit siguri të vërtetë dhe marrëdhënie pozitive dhe normale me fqinjët e tij; dhe nga ana tjetër pavarësi, përparim ekonomik dhe siguri për palestinezët në shtetin e tyre”.

Zonja Klinton tha se administrata e re do të kërkonte marrëveshje bashkëpunimi me Rusinë, pa hequr dorë nga normat dhe vlerat amerikane, duke theksuar nevojën për të përshpejtuar përpjekjet për një traktat të ri për pakësimin e armëve strategjike me Moskën për të zëvendësuar traktatin që skadon në fund të vitit.

Ajo po ashtu u shpreh për marrëdhënie pozitive dhe bashkëpunimi me Kinën, të zhvilluara në një formë të tillë, ku të dyja palët mund t’i analizojnë haptazi mospajtimet mes tyre, duke aluduar se suksesi varet në një masë të madhe nga zgjedhjet që do të bëjë Pekini.

Zonja Klinton tha se shpreson të organizojë një koalicion ndërkombëtar më efektiv, që përmes rrugëve diplomatike Irani të mos lejohet të shtjerë në dorë armë bërthamore, por ashtu si administrata e Presidentit Bush, ajo tha se Presidenti i ardhshëm Obama nuk do të eliminojnë asnjë opsion, duke lënë të kuptohet se edhe alternativa ushtarak mbetet mundësi.

Senatorja nga Nju Jorku u vlerësua nga anëtarët e Komisiontit të të dyja partive dhe duket se konfirmimi i saj nga ky Komision të enjten është i sigurtë. Por një numër anëtarësh kanë shprehur shqetësim për aktivitetet për grumbullim fondesh që fondacioni i bashkëshortit të saj, ish-Presidentit Bill Klinton, ka zhvilluar jashtë vendit.

Republikani më i lartë në Komision, Senatori nga Indiana, Riçard Lugar tha se do të ishte më mirë që fondacioni të mos pranonte më para të huaja, për të shmangur shqetësimet për konflikt interesi.

“Fondacioni Klinton ekziston si një joshje për çdo entitet apo qeveri të huaj, që beson se mund të sigurojë favore përmes një donacioni. Po ashtu, u hap rrugën problemeve të mundshme në mënyrën si perceptohen veprimet që bën Sekretarja e Shtetit në lidhje me donatorët e huaj apo vendet e tyre”.

Kandidatura e zonjës Klinton si Sekretare e ardhshme e Shtetit pritet të miratohet nga i gjithë Senati të martën e ardhshme, menjëherë pas inaugurimit të Presidentit Obama, në një sesion të shkurtër në Senat dhe të nesërmen, ajo fillon detyrën si Sekretare e Shtetit. (ze)

XS
SM
MD
LG