Lidhje

Kafeneja e Paqes në Uashington, një mënyrë për dialog


Megjithëse Izraeli vazhdon ndërhyrjen me trupa tokësore në Gazë dhe luftimet shkallëzohen, ende ka njerëz që besojnë se paqja në Lindjen e Mesme është e mundur. I tillë është një grup këtu në Uashington, DC.

Ndërkohë që protestues kudo në botë shprehin kundërshtimin ndaj ofensivës tokësore izraelite në Gazë, amerikanë me prejardhje hebraike dhe arabe mblidhen në një kafene të Uashingtonit për të diskutuar. Dhe dialogu i tyre është ndryshe.

Kjo quhet Kafeneja e Paqes dhe është hapur para 8 vjetësh nga irakiano-amerikani Anas Shallal. Ai përpiqet të bashkojë njerëzit me mendime të ndryshme, t’i pajtojë ata që një ditë të mos ketë më konflikt.

"Rezultati që ne arrijmë në këtë kafene jo gjithmonë është i dukshëm. Është diçka që ka të bëjë me botën e brendëshme të njeriut prandaj nuk shihet menjëherë. Ndikimi i kësaj kafeneje pasqyrohet tek secili dhe qëllimi është që njerëzit të ndryshojnë perceptimin për njëri-tjetrin."

Rreth 50 vetë e ndoqën nga kafeneja inkursionin me trupa të Izraelit në Gazë gjatë fundjavës. Nga Ramalla do të bëhej një lidhje telefonike me aktivistin e të drejtave të njeriut, palestinezin Mustafa Barguti. Por telefonat nuk punonin për shkak të mbingarkesës. Atëhere i zoti i kafenesë u kërkoi njerëzve që të flisnin dhe të shprehnin mendimet e tyre.

Një grua hebraike, vëllai i së cilës ishte vrarë nga raketat e Hebollahut në vitin 2006, mori e para mikrofonin.

"Ne nuk mund të mos i shohim padrejtësitë nga të dyja palët. Nëse duhet të kthehemi prapa në kohë, atëhere të kthehemi në vitin 1933 kur të afërmit e mi u vranë në Çekosllovaki e ndoshta edhe të afërmit tuaj."

Pas asaj flet një i ri arab, i cili shprehu një mendim tjetër.

"Besoj se të gjithë janë dakord se vrasja e civilëve është diçka e keqe që duhet të ndalohet. Por kjo që po ndodh tani është për të vënë duart në kokë, është praktikisht gjenocid."

Anas Shallal u kujton njerëzve se Kafeneja e Paqes nuk është vend debatesh por është më tepër një rast që njerëzit të ndryshojnë mendimin për konfliktin duke shkëmbyer përvojat dhe ndjenjat personale.

"Nëse ke ardhur këtu për t’i mbushur mendjen të tjerëve, atëhere nuk fiton dot. Përkundrazi do të dalësh i zhgënjyer. Unë thjesht dua që njerëzit të kuptojnë realitetin. Ne nuk jemi këtu për të ndryshuar politikën amerikane. Nuk kemi ardhur për të ndryshuar ndonjë gjë përveç vetes sonë."

Më pas, njerëzit dikutojnë mes tyre grupe grupe. David Volinski, i cili është me origjinë hebraike, thotë se është e vështirë të shkëputesh nga e kaluara dhe të ecësh drejt mirëpkuptimit dhe paqes.

"Duke qenë se vijmë nga Holokausti, çdo njeri i brezit tim dhe ndoshta edhe brezi tjetër, do ta ketë këtë të ngulitur në mendje. Prandaj është e vështirë të mendosh pa paragjykime, sidomos kur është fjala për armiqtë e tu.”

Rubin Stajn, ekspert për zgjidhjen e konflikteve, thotë se konfliktet nuk duhen parë si një ndeshje sportive ku dikush fiton e dikush humbet.

"Duhet të kuptojmë se kur njerëzit venë jetën në rrezik ose kur u marrin jetën të tjerëve, kjo ndodh ngaqë atyre nuk u plotësohen disa nevoja njerëzore bazë. Prandaj çështja është se cilat janë këto nevoja dhe si mund të plotësohen ato."

Anas Shallal do të vazhdojë përpjekjet për t’i bashkuar njerëzit që vijnë në lokalin e tij Kafeneja e Paqes. Shpresa e tij është që duke transformuar perceptimin e njerëzve për njëri-tjetrin një ditë të mos ketë më konflikte.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG