Njerëzit kudo e pritën ardhjen e Vitit të Ri me festime të shumta edhe pse bota po ndjen pasojat e krizës ekonomike globale ndërsa një tragjedi në Tajlandë hodhi një hije zymtësie në ditën e parë të 2009-s.
Në qytetin e Nju Jorkut, rreth 1 milion njerëz ishin në Sheshin Times Square për të parë rënien e topit të madh me drita, pa përfillur erën e ftohtë. Pikërisht në mesnatë, sheshi u mbush me letrat shumëngjyrëshe që hidheshin nga ndërtesat mbi të ndërkohë që në ajrin e ftohtë ngjiteshin balonat e shumtë.
Në shumë qytete, si Londër, Paris, Hong Kong dhe Sidni, turma të mëdha njerëzish qendruan deri vonë për të parë fishekzjarret që ndriçonin qiellin. Festimet në vende të tjera ishin më të pakta. Në Tajlandë, të paktën 59 vetë gjetën vdekjen dhe më shumë se 200 u dëmtuan nga zjarri që ra në një klub nate të Bangkokut ku po festohej nata e Vitit të Ri. Sipas agjencisë franceze të lajmeve, një italian 25-vjeçar u vra në Napoli nga një plumb ndërsa ai bashkë me nënën po ndiqnin festimet nga ballkoni.
Në Shtetet e Bashkuara, Presidenti Bush tha në një deklaratë se është një moment gëzimi ndërkohë që vendi përgatitet për një kalim paqësor të pushtetit me inugurimin e Presidentit të zgjedhur Barak Obama më 20 janar.