Izraeli refuzoi një armëpushim të menjëhershëm 48 orësh me Hamasin, duke thënë se se do të vazhdojë mësymjen e tij ushtarake në Rripin e Gazës.
Zyrtarët izraelitë thanë se kryeministri Ehud Olmert dhe ministrat e mbrojtjes dhe të diplomacisë e morën vendimin pasi diskutuan marrëveshjen e propozuar nga Franca në një takim gjatë natës.
Avionët luftarak izraelitë vazhduan sulmet mbi objektivat e Hamasit në Rripin e Gazës për të pestën ditë sot, megjithë trysninë ndërkombëtare në rritje për ti dhënë fund dhunës.
Zyrtarët thanë se raketat goditën ndërtesat qeveritare të Hamasit dhe tunelet e përdorura për të futur armë dhe ushqime në Gaza nga Egjypti. Hamasi vazhdon gjithashtu të hedh raketa në Izrael.
Izraeli filloi të sulmojë objektivat e Hamasit të shtunën në përpjekje për të ndalur sulmet e militantëve pas skadimit të një armëpushimi gjashtë mujor.
Më shumë se 370 palestinezë kanë vdekur që nga e shtuna. Kombet e Bashkuara thonë se të paktën 62 prej tyre janë civilë.