Lidhje

Shqipëri: Tregu i naftës dyshohet për abuzime


Autoriteti i Konkurrencës bëri të ditur se do të marrë masa ndaj të gjithë atyre kompanive të naftës që dëmtojnë konkurrencën në tregun e karburanteve në dëm të qytetarëtve.

Ky institucion ka vërejtur se importuesit e mëdhenj bëjnë marrëveshje me tregtarët e vegjël për të mbajtur lart cmimin e naftës dhe benzinës, duke dëmtuar rëndë konsumatorët.

Çmimet e shtrenjta në tregun e karburanteve nxitën Autoritetin e Konkurrencës që të kryejë një studim të hollësishëm mbi zhvillimet në këtë treg, për të cilin qytetarët po ankohen përditë e më shumë.

Në fund të muajit institucioni i vetëm që ka për detyrë të garantojë konkurrencën në tregun e lirë, njoftoi se nga fundi i këtij muaji, pas 10 ditësh do të zhvillojë një seancë të hapur dëgjimore me operatorët privatë dhe pjesëmarrës të tjerë të këtij tregu. Në këtë takim do të bëhen publikë përfundimet e detajuara të raportit mbi shkeljet në treg. Por, thelbi i këtij studimi është se në tregun e karburanteve vihen re kufizime të konkurrencës, si pasojë e sjelljes së koordinuar midis firmave kryesore që kanë fuqi të ndjeshme në tregun e shumicës dhe firmave që veprojnë në tregun e shitjes me pakicë.

Importuesit e karburanteve - theksohet në raportin e Autoritetit të Konkurrencës - bashkëpunojnë me tregtarët e pakicës për të fiksuar çmime të larta, që rëndojnë mbi qyetarët.

Pas përfundimit të seancës dëgjimore me subjektet nën hetim, të cilat do të japin argumentat e tyre, Autoriteti i Konkurrencës bëri të ditur se do të marrë edhe vendimet përkatëse.

Shtrenjtimi i karburanteve në Shqipëri dhe mungesa e kontrolleve në këtë treg, nxiti protestën e shumë konsumatorëve. Ajo që mbetet paradoksale në situatën e krijuar është fakti se çmimet e karburanteve në Shqipëri nuk ulen, ndonëse ato janë ulur ndjeshëm në tregun botëror.

Zyra per Mbrojtjen e Qytetareve deklaroi se kompanite e importit te naftës kontrollojnë çmimet me marrëveshje të paligjshme midis tyre dhe kjo nuk lejon funksionimin normal të tregjeve. Kjo organizatë u beri thirrje qytetareve një javë më parë që të bojkotonin për 24 orë pikat e karburantit në shenjë proteste ndaj abuzimeve në këtë fushë.//lk

XS
SM
MD
LG