Lidhje

Limaj kritikon ndërhyrjen serbe në hekurudhat e Kosovës


Ministri i Transporteve dhe telekomunikacionit në qeverinë e Kosovës, Fatmir Limaj tha sot në një intervistë për Zërin e Amerikës se vënia në qarkullim e trenit nga Serbia në veriun e Kosovës është një ndërhyrje të Beogradit ndaj sovranitetit të saj. Ai thotë se veprimet e tilla që kanë zënë fill që në mars të këtij viti pas shpalljes së pavarësisë së vendit, dëmtojnë më së shumti interesat e qytetarëve serbë. Në intervistë ministri Limaj thotë se pranvera e ardhshme është stinë e fillimit të punës për ndërtimin e autostradës Morinë - Merdare që do të jetë vazhdim i asaj Durrës - Morinë.

Zëri i Amerikës:Zoti Ministër, këto ditë ka ndodhur një ndërhyrje e hekurudhave të Serbisë në pjesën veriore të Kosovës. Si e vlerësoni ju një veprim të tillë dhe cilët janë hapat që po ndërmerr Prishtina për t'iu kundërpërgjigjur këtij veprimi?

Fatmir Limaj: Fatkeqësisht besoj që ju e dini, kjo ka ndodhur qysh në mars si reagim ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Pas djegies së doganave, largimit të policisë, doganierëve nga ato pika, ka ndodhur futja e trenit nga Serbia pa lejen e autoriteteve vendase. Kjo gjendje ka vazhduar dhe e njëjta gjë po ndodhë edhe tani. Ne e kemi thënë dhe vazhdojmë ta themi se ky është një cenim i sovranitetit të vendit tonë. Nuk ka mundësi në praktikat dhe sipas ligjit për hekurudhat e Kosovës, por kjo është praktikë ndërkombëtare, asnjë vend tjetër nuk mund të futet në territorin tjetër përvec me lejen e organeve përkatëse, në këtë rast Prishtinës. Prandaj, ne e kemi njoftuar EULEX-in dhe ministrinë e rendit dhe presim që EULEX-i dhe ministria e rendit në koordinim të ngushtë me njëri tjetrin, të bëjnë ndalimin e të gjithë trenave dhe transportuesve që futen pa lejen paraprake të autoriteteve të Prishtinës.

Zëri i Amerikës: Zoti Ministër, a mendoni se keni bërë mjaft, a ka bërë mjaft Prishtina për të krijuar kushte për lëvizje të lirë të pjesëtarëve të komunitetit serb që jetojnë në atë pjesë për të shmangur një ndërhyrje të tillë?

Fatmir Limaj: Nëse juve ju kujtohet ne e kemi një projekt i quajtur projekt i lëvizjes së lirë, projekt humanitar që e kemi financuar dhe vazhdojmë ta financojmë nga qeveria e Kosovës. Qëllimi ka qenë krijimi i kushteve për lëvizje të lirë, e posaçërisht për minoritetin serb, nga pjesët qendrore të Kosovës për në pjesën veriore, në këtë rast Mitrovicë, Zvecan, Leposavic dhe ky qarkullim ka qenë në mënyrë të vazhdueshme dhe ka përmbushur nevojat e qytetarëve serb të Kosovës, derisa kanë ndodhur gjërat e marsit. Pas marsit, operatorët tanë kanë qenë të penguar për të zhvilluar normalisht transportin edhe në atë pjesë të Kosovës dhe ne kemi qenë të detyruar ta ndërpresim. Në anën tjetër, organet serbe atje kanë kërkuar nga punëtorët serb që punojnë në hekurudhat e Kosovës që të largohen nga puna dhe thjeshtë të kthehen gjoja në, të krijohen struktura paralele dhe të jenë punëtorë të hekurudhave të Serbisë. Dhe kjo, fatkeqësisht, ky veprim i Beogradit, ka dëmtuar shumë lëvizjen e qytetarëve serb, më së shumti ka dëmtuar vetë qytetarët serb.

Zëri i Amerikës: Por, zoti ministër, a ka të bëjë kjo me gjashtë pikat e marrëveshjes ndërmjet Beogradit dhe OKB-së...?

Fatmir Limaj:Unë s'kisha thënë. Me vetë faktin se, siç thashë edhe më herët, reagimi është që nga marsi, nuk e kisha lidhë me gjashtë pikëshin, por thjeshtë është një veprim permanent i Serbisë e cila në çdo rast dëshiron të demonstrojë me këto veprime se "Kosova është pjesë e tyre, se s'ka ndryshuar gjendja", vazhdon t'i mbajë në shpresë, fatkeqësisht dhe t'i manipulojë qytetarët serb të Kosovës, por edhe t'u bëjë presion këtyre qytetarëve, me qëllim që të mos i pranojnë institucionet e Kosovës. Kështu që, nuk i kisha lidhur me këto gjashtë pika, por thjeshtë është një veprim i vazhdueshëm i organeve serbe në këtë drejtim.

Zëri i Amerikës: Zoti ministër. Përveç hekurudhave, ju jeni përgjegjës edhe për transportet dhe telekomunikacionin në Kosovë. Me pak fjalë, si do ta përshkruanit gjendjen në këtë fushë?

Fatmir Limaj: Nëse flasim për këtë vit që po e përmbyllim, ne jemi të kënaqur. Kemi bërë realizimin e projekteve që kemi parashikuar në fillim të sezonit. Kemi realizuar diku rreth 161 projekte. Kemi arritur të shtrojmë, rehabilitojmë, mirëmbajmë mbi 600 km rrugë të Kosovës dhe kjo është diçka që ka ndodhur për herë të parë në vendin tonë. Dhe neve na bën të ndjehemi komod me krejt projektet që kemi bërë për këtë vit dhe ndjehemi jashtëzakonisht mirë. Shpresojmë se vitin e ardhshëm do të rrisim volumin. Kjo që ka ndodhur këtë vit në Kosovë nuk ka ndodhur në nëntë vitet e fundit dhe kjo tregon që Kosova nuk është më në situatë emergjente, por është futur në zhvillim serioz dhe investime serioze kapitale edhe në fushën e infrastrukturës që është parakusht për zhvillimin ekonomik të një vendi, ndërsa drejtpërdrejtë ka pasur ndikim në punësimin e katër mijë njerëzve.

Zëri i Amerikës:A hyn në këto plane edhe projekti për ndërtimin e autostradës Morinë - Merdar?

Fatmir Limaj: Mendoj që ky është një projekt kapital nacional me interes shtetërorë dhe ky është një angazhim i vazhdueshëm. Ka qenë edhe më përpara, është edhe me këto institucione që tash qeverisin. Ne jemi në fazën paraprake, para përfundimtare, nëse mund ta quaj kështu. Kemi pasur telashe me projektin sepse nuk ka qenë i plotë. Na është dashur dhe na duhet të bëjmë plotësime të projektit. Por besoj se çdo gjë në aspektin procedural do të përgatitet për pranverë. Na mbetet vetëm çështja e ekzekutimit, të gjetjes së burimeve financiare. Buxheti i Kosovës është e pamundur të përballojë koston e shpenzimeve për këtë autostradë. Por ne besojmë se ka shumë partnerë të interesuar për të investuar në këtë rrugë. Shpresojmë shume që në gjysmën e vitit të ardhshëm ne do të jemi të gatshëm për të filluar projektin, në qoftë se kriza globale nuk do të reflektojë tek partnerët që kanë shfaqur interesimin më herët për të investuar në këtë rrugë.

Zëri i Amerikës: Zoti Ministër, ju udhëhiqni ministrinë me buxhetin më të lartë në qeverinë e Republikës dhe me më së shumti projekte. Rrjedhimisht edhe kritikat kanë qenë më të shumta në adresën e ministrisë suaj lidhur me menaxhimin e buxhetit, të fondeve në përgjithësi, ndarjen e tenderëve. Si u përgjigjeni këtyre shqetësimeve dhe kritikave?

Fatmir Limaj: Të them të drejtën për nëntë vitet e fundit, kemi realizimin më të madh të projekteve, kemi realizimin më të madh të buxhetit dhe kemi pasur më shumë, nëse i mbledhim të gjitha nëntë vitet bashkë. Nga kjo del se megjithatë, për gjithë atë punë që është bërë, nuk kemi pasur telashe e probleme siç ka pasur në të kaluarën. Normalisht, kritikat dhe shqetësimet janë më se normale. Të gjitha ato ne i marrim parasysh dhe dëshirojmë të përmirësojmë veprimtarinë dhe punën tonë në vazhdim e sipër. Por nuk kemi pasur asnjë kritike reale në kuptimin e paraqitjes së problemeve qoftë në procesin e ofertimit ose tenderimit. Është ministria e vetme në Republikën e Kosovës e cila nuk ka pasur asnjë ankesë për asnjë ofertë deri më tash që kemi hapur në realizimin e punimeve. Kjo tregon se ministria e transportit i është përmbajtur fuqishëm kornizës ligjore të paraparë dhe kjo po ndodhë për herë të parë në vendin tonë..//kk//

XS
SM
MD
LG