Lidhje

Presidenti zhvillon një vizitë lamtumire në Irak


Presidenti amerikan Xhorxh Bush zhvilloi dje një vizitë të palajmëruar në Irak. Gjatë vizitës së tij të fundit në Irak si komandant i ushtrisë amerikane, zoti Bush u takua me zyrtarët në vend si dhe përshëndeti trupat amerikane që shërbejnë në Irak.

Ndërsa ditët e mandatit të tij presidencial po shkojnë drejt fundit, presidenti Bush la për disa orë Uashingtonin të shtunën mbrëma për të udhëtuar drejt Bagdatit.

Përsëri ai udhëtoi drejt Irakut në mënyrë të fshehtë. Por gjatë këtij udhëtimi, i katërti që kur Amerika pushtoi Irakun në marsin e vitit 2003, u shfaqën shenja ndryshimi. Për të parën herë zoti Bush shkoi në zona civile jashtë Zonës së Gjelbërt në Bagdad, një lagje e qytetit e fortifikuar rëndë.Po kështu, kësaj here pati edhe një ceremoni zyrtare në nder të vizitës së tij.

Këshilltarët e presidentit thanë se ai donte të takohej me udhëheqësit irakianë, të falenderonte trupat dhe diplomatët amerikanë dhe të festonte arritjen e marrëveshjes së re të sigurisë me qeverinë irakiane.

Në fund të bisedimeve me kryeministrin irakian Nuri al Maliki, zoti Bush vlerësoi përparimin e bërë. Por ai pranoi se lufta ende nuk ka mbaruar.

"Mbetet shumë punë për të bërë. Lufta nuk ka mbaruar. Por me arritjen e këtyre marrëveshjeve dhe me kurajon e popullit irakian si dhe trupave irakiane dhe amerikane dhe personelit civil, kjo luftë po shkon pa dyshim drejt fitores”.

Por brenda disa sekondave, të gjithë u përkujtuan sesa e debatueshme mbetet lufta në Irak. Një gazetar irakian hodhi këpucët e tij, njëra pas tjetrës, drejt presidentit Bush.

Në kulturën arabe është ofendim nëse dikush tregon shollën e këpucës dhe gazetari në fjalë i bërtiti zotit Bush ndërsa po i hidhte këpucët drejt tij. Gazetari u largua menjëherë nga salla e konferencës dhe gazetarë të tjerë irakianë kërkuan falje.

Presidenti Bush bëri shaka lidhur me incidentin, duke thënë se nuk e kishte ndjerë veten të kërcënuar.

"Gazetarët e pranishëm në sallë kërkuan disa herë falje. Ata thanë se gazetari irakian nuk përfaqëson popullin e Irakut. Por kjo ndodh në shoqëri të lira kur njerëzit duan të tërheqin vëmendjen mbi veten”.

Pas takimeve të tij zyrtare me autoritetet irakiane presidenti u largua nga Zona e Gjelbërt me helikopter dhe vizitoi kampin Liria, një objekt ushtarak amerikan pranë aeroportit të Bagdatit.

Aty ai u brohorit nga qindra trupa amerikane. Zoti Bush i falenderoi ushtarët dhe i lavdëroi ata për përpjekjet e tyre për sigurinë e Irakut.

Iraku ka gjasa të jetë fokusi i historikut të presidencës Bush. Dhe udhëtimi i tij atje ishte një rast për të prezantuar sa më pozitivisht situatën në vend ndërsa zoti Bush po përgatitet për të përfunduar mandatin e tij.

Rreth 150 mijë trupa amerikane dhe personel mbështetës ndodhen anembanë Irakut. Më shumë se 4200 ushtarë kanë humbur jetën që pas marsit të vitit 2003, kur forcat amerikane ndërhynë në Irak për të larguar me forcë udhëheqësin irakian Sadam Husein.

Marrëveshja e re mbi Statusin e Forcave amerikane bën thirrje për largimin e të gjithë trupave amerikane nga Iraku deri në fund të vitit 2011. Zoti Bush tha se kjo marrëveshje do të lërë pas një bazë të fortë për presidentin e zgjedhur Barak Obama i cili gjatë fushatës presidenciale premtoi se do t’i jepte fund luftës në Irak. //ad//

XS
SM
MD
LG