Lidhje

Ekonomitë aziatike në përgjigje të krizës globale


Udhëheqësit e ekonomive më të mëdha aziatike u takuan dje për të diskutuar opsionet mbi një përgjigje të bashkërenduar rajonale ndaj krizës globale ekonomike. Udhëheqësit e Kinës, Japonisë dhe Koresë së Jugut diskutuan situatën ekonomike në vendet e tyre si dhe një sërë çështjesh të tjera si përpjekjet e Koresë së Veriut për prodhimin e armëve bërthamore dhe ndryshimet klimatike.

Në mes të dimrit në qytetin japonez të Fukuokës, ish vende armike si Kina, Koreja e Jugut dhe Japonia përjetuan një ngrohje të marëdhënieve mes tyre. Në takimin e tyre të parë të zhvilluar në mënyrë të pavarur, kryeministri kinez Uen Xhiabao, kryeministri japonez Taro Aso dhe presidenti koreano jugor Li Miung-bak, vendet e të cilëve përfaqësojnë 75% të ekonomisë aziatike, diskutuan mbi mënyrat për të mbështetur njëri-tjetrin dhe bashkësinë aziatike në mes të krizës financiare që po merr përmasa gjithnjë e më të mëdha.

Secili nga udhëheqësit parashtroi probleme përkatëse ekonomike. Vendi organizator i takimit, Japonia ka hyrë zyrtarisht në reçesion, monedha e Koresë së Jugut ka humbur 1/3 e vlerës së saj, ndërsa eksportet e Kinës kanë pësuar rënien e parë në 7 vjet.

Kryeministri kinez Uen Xhiabao tha se kriza financiare vazhdon të përhapet dhe po ka një ndikim gjithnjë e më të madh mbi ekonominë botërore. Tri vendet tona, tha ai, janë aktorë të rëndësishëm ekonomikë si në Azi edhe në botë. Ndaj dhe ne duhet të kundërpërgjigjemi bashkarisht ndaj kësaj krize, tha kryeministri kinez Uen Xhiabao.

Opsionet e diskutuara gjatë samitit ishin krijimi i një fondi 80 miliarda dollarësh për të shmangur një krizë financiare rajonale dhe për futjen e kapitalit në Bankën Aziatike të Zhvillimit. Treshja e vendeve aziatike po kështu u zotua të mos vendosë pengesa të treja tregtare gjatë 12 muajve të ardhshëm dhe të shtojë kërkesën e brendshme.

Kryeministri japonez Taro Aso tha se bashkëpunimi rajonal është tepër i rëndësishëm në këto momente. Shkëmbimet e monedhave mes tre vendeve tona, tha ai, do të pësojnë rritje dhe kjo ka një rëndësi të veçantë.

Gjatë samitit u diskutuan disa çështje si krijimi i një marëveshje trepalëshe të tregtisë së lirë, negociatat me Korenë e Veriut mbi programin e saj bërthamor, angazhimet për ndihmën për Afrikën, dhe ndryshimet klimatike. Tre vendet ranë dakord të vazhdojnë bisedimet gjatë një takimi tjetër në plan të mbahet në Kinë vitin e ardhshëm. //ad//

XS
SM
MD
LG