Lidhje

Shqipëri: Prokuroria e Përgjithshme nuk përfill thirrjet e Bashës


Prokuroria e përgjithshme evitoi mbrëmë të përfshihej në polemika të karaterit politik me ministrin e Jashtëm Lulëzim Basha, pas akuzave të tij të drejtpërdrejta se veprimet e prokuorëve ishin nxitur nga partia socialiste. Në një reagim të shpërndarë mbrëmë, organi i akuzës i ka dhënë përgjigje vetëm pretendimeve të karakterit juridik të ngritura nga ministri, por më parë edhe nga avokati i tij mbrojtës.

Pika në të cilën është kapur më fort zoti Basha dhe mbrojtja e tij, pasi janë njoftuar për t’u paraqitur që të njihen me akuzën, ka qenë kryesisht vendimi I para dy javëve i gjykatës së Tiranës e cila pas kërkesës të dy të pandehurve të tjerë për këtë cështje, vendosi pezullimin e hetimeve të mëtejshme. Sipas zotit Basha shkresa që i është drejtuar atij është shkelje e këtij urdhëri të gjykatës. “Për afër një vit, prokuroria - tha ai - ka patur të gjithë kohën e mjaftueshme dhe detyrimin që të conte deri në fund hetimet”, dhe se nuk e ka thirrur asnjëherë për ta marrë në pyetje. Sipas tij prokuoria “ka fjetur mbi dosjen” dhe ndërmori hapat e fundit menjëherë pas vendimit të gjykatës.

Nga ana e saj Prokuroria ka sqaruar se “nuk ka kryer asnjё veprim hetimor nё lidhje me kёtё procedim penal, gjё qё do tё thotё se nuk ka ndёrmarrё asnjё veprim tjetёr qё konsiston nё marrjen e provave qё provojnё akuzёn”, thuhet në deklaratën e saj. Po ashtu sipas saj veprimet e ndërmarra ndaj zotit Basha, “janё akte procedurale dhe jo veprime hetimore. Veprimtaria hetimore – sqarohet në deklaratë- lidhet me marrjen e provave gjatё hetimit pёr tё provuar fajёsinё ose jo tё personave tё pёrfshirё nё njё proces penal. Ndёrsa akti i njoftimit tё akuzёs, si rasti konkret me zotin Basha, ёshtё akt procedural, i cili eshte produkt i analizёs qe u bёhet tё gjitha provave te vjela dhe tё pёrftura nga veprimet hetimore”.

Po ashtu sipas prokurorisë vendimi i gjykatës së Tiranës lidhet me dy persona konkret dhe nuk përfshin zotin Basha edhe sepse për shkak të cilësive të tij ai nuk mund të jetë objekt i një gjykate të shkallës së parë por i Gjykatës së lartë.

Në deklaratën e tij të djeshme ministri i Jashtëm, i cili dyshohet të jetë përgjegjës për procedurat e ndjekura për ndërtimin e segmentit Rrëshen Kalimash në periudhën kur ai drejtonte ministrinë e Transporteve, i ka dhënë qartësisht një trajtim politik çështjes. Duke e trajtuar si të tillë, ai I është përgjigjur akuzave të Prokurorisë duke sulmuar si hartues të tyre kryetarin socialist Edi Rama. Zoti Basha tha se “me një sulm te paster politik mercenaret e Edi Rames dhe ndokujt tjeter brenda prokurorise, sipas tij, moren akuzat e fabrikuara nga zyrat e Edi Rames dhe i riprodhuan ato, tashme me stemen e prokurorise”.

Menjëherë ndaj tij ka reaguar Partia socialiste përmes zëdhënëses së vet Mimi Kodheli. “Përpjekja e të pandehurit për shpërdorim detyre Lulëzim Basha - tha ajo - që ta kthej këtë çështje ordinere grabitje fondesh publike në një çështje politike është - sipas socialistëve - mjerane për atë personalisht dhe e turpshme për një qeveri që u votua për të punuar me duar të pastra”, përfundon deklarata e partise socialiste. //ad//

XS
SM
MD
LG