Lidhje

E Premtja e Zezë dhe shitjet në SHBA


Megjithëse blerjet kanë rënë që në shtator, konsumatorët mbushën dyqanet që para agimit të premten, për të shfrytëzuar uljet e çmimeve në produkte që nga televizorët e deri tek lodrat, në fillimin tradicional të periudhës së blerjeve në Shtetet e Bashkuara, e cila mendohet se mund të jetë më e dobëta në disa dekada.

Ishte e qartë, se megjithëse turmat mbushën dyqanet të nesërmen e Ditës së Falenderimeve, konsumatorët vazhdojnë të jenë të shqetësuar për ekonominë, humbjet e vendeve të punës, kreditë e pakta dhe rënien e vlerës së kursimeve të tyre.

Disa nga dyqanet e shitjeve me pakicë zgjatën orët e punës dhe ofruan çmime shumë më të ulëta seç kishin qenë gjatë të gjithë muajit nëntor.

Një blerëse kishte ardhur nga Irlanda vetëm për të blerë në Nju Jork duke thënë se kishte kursyer shumë para duke udhëtuar për në Shtetet e Bashkuara.

Kjo ditë me ulje çmimesh e ka marrë emrin e premtja e zezë sepse ka qenë historikisht dita kur konsumatorët blenin aq shumë sa ndihmonin dyqanet të nxirrnin fitimet e tyre për gjithë vitin.

Megjithëse e nesërmja pas Ditës së Falenderimeve nuk është parashikuese e saktë e shitjeve gjatë festave, ajo prapë është një tregues i rëndësishëm e vullnetit të njerëzve për të shpenzuar para.

Vitin e kaluar, shitjet e së premtes pas Ditës së Falenderimeve përbënin 10 përqind të shitjeve të periudhës së festave. //bsa//

XS
SM
MD
LG