Lidhje

Gjykatësit Ndërkombëtarë urdhërojnë lirimin e 3 gjermanëve


Një trup i gjykatësve të Kombeve të Bashkuara në Kosovë urdhëroi mbrëmë lirimin nga paraburgimi të tre shtetasve gjermanë të arrestuar nën dyshimin për sulm ndaj zyrës civile ndërkombëtare në Prishtinë. Më 14 nëntor një mjet shpërthyes u hodh në oborrin e zyrës së përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian duke shkaktuar dëme materiale, por pa pasoja në njerëz.

Më 19 dhjetor tre shtetas gjermanë u arrestuan nën dyshimin se janë të përfshirë në këtë incident, i cili u dënua ashpër nga institucionet vendase e ndërkombëtare. Shërbimi gjerman i zbulimit BND ka konfirmuar se të tre personat janë agjentë të tij, por ka hedhur poshtë çdo mundësi për përfshirjen e tyre në këtë incident.

Gjykatësi ndërkombëtar Vinod Bolello deklaroi se nuk janë gjetur dëshmi të mjaftueshme për të ngritur ndonjë akuzë të qëndrueshme ndaj tre shtetasve gjermanë, arrestimi i të cilëve nxiti vëmendje të madhe të mjeteve të informimit në Kosovë dhe në Gjermani.

Shpërthimi i 14 nëntorit ndodhi në një periudhë të kundërshtimeve të ashpra të Prishtinës zyrtare ndaj një marrëveshjeje gjashtë pikëshe të arritur ndërmjet Kombeve të Bashkuara dhe Serbisë për vendosjen e EULEX-it në Kosovë. Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara mori parasysh raportin e Sekretarit të Përgjithshëm Ban Ki Moon, ku përfshihen qëndrimet e Beogradit dhe Prishtinës dhe duke nënvizuar se mirëpret qëllimet e tyre për të bashkëpunuar me bashkësinë ndërkombëtare.

Raporti përfshin marrëveshjen gjashtë pikëshe që parasheh një shkallë të lartë autonomie për policinë, drejtësinë dhe doganat në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe. Ndërsa në një aneks të veçantë është përfshirë edhe një dokument i Prishtinës e cila ngul këmbë se EULEX-i, mund të shtrihet në tërë Kosovën në pajtim me Kushtetutën e saj dhe të zbatojë planin e zotit Martti Ahtisaari.

Beogradi e ka mirëpritur rrjedhën e takimit të Këshillit të Sigurimit, ndërsa autoritetet në Prishtinë kanë këmbëngulur se plani gjashtë pikësh është i papranueshëm dhe cënimi i sovranitetit të Kosovës nuk do të lejohet në asnjë rrethanë. //ad//

XS
SM
MD
LG