Për tri ditë rresht, Barak Obama mbajti konferenca për shtyp për të njoftuar anëtarët e ekipit të tij ekonomik dhe për të siguruar publikun se rigjallërimi i ekonomisë amerikane është përparësia e tij kryesore si president i ardhshëm:
"Përparësia ime kryesore është ta kthej ekonominë në rrugën e rimëkëmbjes, të krijoj 2.5 milionë vende të reja pune dhe t’u ofroj mbështetje familjeve të klasës së mesme"Profesori i shkencave politike në Universitetin Rutgers, Ross Baker, thotë se vëmendja e vazhdueshme e Presidentit të zgjedhur tek ekonomia bëhet me qëllim:
"Zoti Obama mund të ketë pasur në plan të bënte fillimisht emërimet e ekipit të sigurimit kombëtar. Por duket se e ka kaluar tani ekonominë në krye të rendit të ditës. Ky hap është një përpjekje për të qetësuar publikun, pasi një pjesë e mirë e problemeve që lidhen me krizën ekonomike kanë karakter psikologjik."Votuesit thanë se ekonomia e dobët amerikane ishte çështja kryesore në zgjedhjet presidenciale, prandaj zoti Obama nuk ka zgjidhje tjetër, veç ta trajtojë ekonominë si përparësinë kryesore, edhe pa ardhur ende në Shtëpinë e Bardhë.
Zoti Obama veproi pa vonesë për të krijuar ekipin e tij ekonomik, si dhe për të emëruar anëtarët kryesorë të personelit të Shtëpisë së Bardhë.
Një veprim i tillë nuk ka qenë praktikë e përhershme gjatë periudhës tranzitore. Për shembull, ish-Presidenti Bill Klinton e zvarriti procesin e emërimit të personelit, gjë që i shkaktoi probleme gjatë vitit të parë si president. Bruce Buchanan është pedagog në Universitetin e Teksasit:
"Administrata e ardhshme ka bërë një punë shumë të mirë në analizimin e gabimeve të së kaluarës dhe ka kuptuar dy gjëra. Njëra është rëndësia që ka të hartosh një plan pune, gjatë periudhës së tranzicionit, në mënyrë që kur vjen në Shtëpinë e Bardhë të fillosh menjëherë nga puna. Ekipi i Presidentit të ardhshëm Obama po merr formë shumë më shpejt se ekipet gjatë administratës së Presidentëve Klinton apo Karter. Ata kanë kuptuar gjithashtu sa rëndësi ka të angazhosh në këtë proces edhe partinë opozitare."Gjatë javëve të ardhshme, zoti Obama pritet të njoftojë ekipin e tij të politikës së jashtme dhe sigurimit kombëtar, ku pritet të ketë emra me influencë.
Sekretari aktual i Mbrojtjes, Robert Gejts, njoftohet se ka shprehur gatishmërinë për të shërbyer nën administratën e ardhshme. Pritet që zoti Obama të emërojë ish-rivalen e tij demokrate, Senatoren Hillari Klinton si Sekretare Shteti. Profesori Buchanan thotë se zgjedhja e zonjës Klinton për këtë post është emërimi më i papritur deri tani:"Ky është një hap i rrezikshëm. Zoti Obama po tregohet tepër i guximshëm nëse synon të punojë me dikë, me të cilën është përplasur aq keq pak kohë më parë. Është pak a shumë një fakt i mirënjohur që çifti Klinton përfaqëson jo vetëm dy individë shumë të talentuar, por edhe me karaktere tepër të forta, komplekse dhe ambiciozë. Ngrihet pyetja, a do të pranojë zonja Klinton t’i nënshtrohet zotit Obama si President?"
Ka plot shembuj nga e kaluara kur presidentët kanë emëruar në poste qeveritare ish-rivalë të mëparshëm. Në vitin 1824, Presidenti Xhon Kuinsi Adams zgjodhi rivalin e tij Henri Klei si Sekretar Shteti.
Pas zgjedhjeve të vitit 1860, Presidenti Abraham Linkoln u zgjati dorën e bashkëpunimit një numri kundërshtarësh, të cilët i përfshiu në kabinet. Kjo taktikë e Linkolnit është dokumentuar në librin e historianes Doris Kerns Guduin me titull “Team of Rivals.” Pikërisht këtë libër citoi disa herë zoti Obama gjatë fushatës së tij për Shtëpinë e Bardhë.//ad//