Ekonomia amerikane po kalon krizën më të rëndë që nga vitet 1930. Ajo që filloi si rënie e tregut të shtëpive është kthyer tani në një krizë gloable kredish. Papunësia në Shtetet e Bashkuara është në nivelin më të lartë që prej 14 vjetësh dhe pritet të keqësohet. Kjo është shumë negative për miliona emigrantët në Shtetet e Bashkuara, veçanërisht ata që ndihmojnë financiarisht familjet.
Në Woodside të Queens-it, ku është qendra e komunitetit filipinas në New York, të gjithë janë të shqetësuar sepse gjendja e ekonomisë ka pasoja për njerëzit që kanë lënë në vendin e tyre. Edilyn Recibe që ka jetuar në Nju Jork që prej 10 vjetësh, e ka pakësuar sasinë e parave që i dërgon familjes në Filipine.
“Nëse humb punën është problem i madh”.
Të afërmit e saj janë të shqetësuar nga lajmet për dobësimin e ekonomisë amerikane.
“Motra më tha t’i mbaj paratë sepse kishte dëgjuar në lajme që shumë njerëz në Amerikë kishin humbur punën."
Ndërsa amerikanët ulin shpenzimet, kërkesa për eksportet aziatike bie, çka do të thotë se ekonomitë aziatike ngadalësohen. Në qendra bankare si Hong Kongu, kriza e kredive dhe rënia e disa bankave ndërkombëtare shkakton edhe më shumë probleme. Mbi 130 mijë filipinas jetojnë në Hong Kong, shumica të punësuar në shërbimet shtëpiake. Abe de Ramos është analist financiar në qytet.
“Kemi parë që është rritur papunësia në sektorin financiar dhe në sektorin e tregëtisë. Me papunësi më të madhe brenda këtyre shtëpive, ata kanë më pak mundësi të punësojnë dikë si punëtorë shtëpiakë”.
Punëtorët filipinas në gjithë botën dërguan mbi 14 miliardë dollarë në Filipine në vitin 2007, e barazvlefshme me 13 për qind të prodhimit të brendshëm bruto. Kështuqë rënia e parave të emigrantëve do ta dëmtojë ekonominë. Në Dapitan, një qytet i vogël në Filipinet jugore, paratë e emigrantëve ndihmuan për të rehabilituar industrinë lokale të ndërtimit.
Alice Balladares ka një shtëpi dykatëshe me garazh ndërtuar nga paratë që i ka dërguar e bija nga Lindja e Mesme. Si shumë të tjerë, ajo përballet me dy probleme: rritja e kostos për shkak të inflacionit dhe pakësimi i parave që dërgojnë emigrantët sepse me dollarin amerikan blihen më pak pesos filipinase.
“Është e vërtetë që familja ka një shtëpi të bukur, por problemi është përballimi i nevojave të përditshme”.
Si shumë të tjerë në botë që mbështeten tek paratë e emigrantëve, asaj i është dashur të shkurtojë shpenzimet. Por Raymond Regner, kompania e të cilit menaxhon transferimin e parave në Filipine nga Nju Jorku, thotë se paratë e emigracionit mund të mos ulen në mënyrë të konsiderueshme sepse Filipinasit kanë një ndjenjë të madhe përgjegjësie ndaj familjeve.
“Çfarëdo që të ndodhë, një filipinas do të dërgojë para edhe po të mos mbajë asgjë për vete. Ata dërgojnë para sepse njerëzit varen prej tyre”.
Por shumë familje në Filipine nuk kanë aq shumë besim se ata dhe të afërmit e tyre jashtë shtetit, do t’u shpëtojnë pasojave të dobësimit të ekonomisë. //ad//