Lidhje

Shqipëri, Buxheti 2009, debat në Parlament deri në orët e para të mëngjesit


Parlamenti në Tiranë mbylli në orët e para të ditës së premte një debat tepër të gjatë për projekt-buxhetin e shtetit të vitit 2009. Pa llogaritur diskutimet e mëngjesit të kaluar, seanca parlamentare e mbrëmjes që vazhdoi mbi 12 orë pa ndërprerje, sepse diskutuan 75 perqind e deputetëve, u mbyll rreth 5 të mëngjesit pa një votim formal për buxhetin e ri. Kryetarja e parlamentit e mbylli seancën e debatit pak minuta pasi deputetët socialistë të opozitës u larguan nga salla, në shenjë proteste ndaj “demagogjisë së maxhorancës me këtë projekt-buxhet”, sic thanë ata.

Qeveria ka planifikuar të kryejë vitin e ardhshëm 383 miliardë lekë shpenzime, ndërsa të ardhurat që parashikohen të mblidhen nga taksat mund të arrijnë në 333 miliardë lekë, pra një deficit rreth 4 për qind. Qeveria ka planifikuar një fond rezervë prej 15.7 miliardë lekësh për të përballuar goditjet e mundshme nga kriza ekonomike botërore.

Kryeministri Sali Berisha deklaroi se me buxhetin e vitit 2009 është programuar rritje rrogash dhe pensionesh deri në 50 për qind. Sipas tij, “ky është buxheti i punonjësve me paga të ulëta, sepse nga kjo rritje do të përfitojnë 520 mijë pensionistë dhe do të mbështetet ekonomia e rreth 800 mijë familjeve”.
Zoti Berisha theksoi se krahas investimeve në rrugët kombëtare, do të vazhdojë asfaltimi i 600 km rrugëve rurale, ku fondet deri tani kanë shkuar deri në 800 milionë usd. Në fushën e shëndetësisë, “janë parashikuar rritje 36% për investimet në digjitalizimin e sistemit të shëndetësisë, dhe dyfishim të pagave të mjekëve”.


Por për opozitën socialiste, premtimet e qeverisë nuk janë bindëse, dhe se ato tregojnë se ekonomia do të mbetet e ndaluar në vend. Sipas deputetit socialist Arben Malaj, “qytetarët nuk kanë para për të siguruar as furnizimet normale, ndërkohë që sondazhet e ndërkombëtarëve tregojnë se Shqipëria ka rënie në të gjithë treguesit ekonomikë”. “Viti 2009 është edhe një vit zgjedhjesh", deklaruan socialistët, "ndaj edhe shumë premtime janë të fryra artificialisht për efekt fushate”.

Pas një debati të gjatë me premtime të reja nga qeveria dhe komente mosbesuese nga opozita, seanca u mbyll papritur pa u kryer asnjë votim në parim për buxhetin e ri.

FMN dhe qeveria shqiptare mbyllën pak ditë më parë detajet e fundit të projekt-buxhetit të ri. Fondi parashikon se ekonomia shqiptare mund të ketë një rritje 4 për qind vitin e ardhshëm nëse do të mbahet në 4 për qind edhe deficiti buxhetor, duke kërkuar gjithashtu që të shtohen edhe masat mbrojtëse ndaj krizës ekonomike botërore.

XS
SM
MD
LG