Lidhje

Prishtina refuzon kushtet për shtrirjen e EULEX-it


Udhëheqësit politikë të Kosovës thanë sonte se një pjesë e elementeve të procesit të ri konfigurimit të pranisë civile ndërkombëtare në vend janë të papranueshme dhe cenojnë rendin kushtetues të Kosovës. Komentet e tyre pasuan një raund të gjatë e të vështirë bisedimesh me përfaqësues ndërkombëtarë për rrjedhën e procesit të ri konfigurimit të pranisë civile në Kosovë.

Bisedimet ku ishin përfshirë përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, Francës, Italisë dhe Gjermanisë dhe i dërguari i Francës e cila mban kryesinë e radhës së Bashkimit Evropian ishin përqendruar rreth gjashtë pikave të planit sekretarit të përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki Moon.

Në një konferencë për gazetarë presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu tha se një dokument i paraqitur në këto bisedime dhe i cili është rezultat i bisedimeve të komunitetit ndërkombëtarë më Beogradin përfshinë elemente të papranueshme.

"Institucionet e Republikës së Kosovës konsiderojnë se elemente substanciale të dokumentit gjashtë pikësh të prezantuar nuk janë të pranueshme për Kosovën në formën e tanishme të tyre. Shprehim gatishmërinë për të vazhduar dialogun me bashkësinë ndërkombëtare Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të siguruar vendosjen sa më të shpejtë të EULEX-it në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, duke garantuar bashkëpunimin e plotë me to dhe institucionet e tjera ndërkombëtare", tha presidenti Sejdiu.

Pikat e propozuar nga zoti Ban Ki Moon përfshijnë çështjet që kanë të bëjnë me policinë, doganat, drejtësinë, kufijtë, transporteve dhe trashëgiminë kulturore e fetare. Ndonëse nuk janë bërë publike asnjëherë, UNMIK-u dhe qeveria e Serbisë janë pajtuar për një shkallë të lartë të autonomisë së policisë në zonat e banuara me pjesëtarë të komunitetit serb. Marrëveshja parasheh formimin e stacioneve dhe nënstacioneve të reja të policisë, në këto zona. Ndërsa për doganat parashihet angazhimi i doganierëve ndërkombëtarë dhe atyre serbë në dy vendkalime kufitare në veri të cilat u dogjën pak ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës nga protestuesit e zemëruar serb. Presidenti Sejdiu nuk dha hollësi rreth këtyre çështjeve.

"Janë çështje që s’ka nevojë të elaborohen shumë, por në një formë apo formë tjetër me elementet e tyre janë pjesë e ndërhyrjes në strukturën e brendshme kushtetuese të Republikës së Kosovës", tha presidenti Sejdiu.

Propozimi i zotit Ban Ki Moon dhe shtrirja e EULEX-it do të duhej të ishte temë e debateve në takimin e nesërm të Këshillit të Sigurimit të Kombet e Bashkuara. Beogradi e ka kushtëzuar vendosjen e këtij misioni me miratimin e këshillit të Sigurimit, qëndrimin neutral ndaj statusit të Kosovës dhe që të mos merret me planin e krye negociatorit Martti Ahtisari. Prishtina ndërkaq, nuk pajtohet me qëndrimin e paanshëm të EULEX-it dhe në veçanti me moszbatimin e planit Ahtissari në bazë të të cilit edhe është përcaktuar vendosja e EULEX-it në Kosovë. Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi hodhi poshtë mundësinë që qëndrimi i sotëm i Prishtinës të pengojë procesin e ri konfigurimit të pranisë civile në Kosovë.

"Nuk kemi të bëjmë me një situatë që mund të prezantohet si bllokadë. Jemi në proces të thellë të dialogut. Dialogu është i paevitueshëm. Ne duam të kemi marrëveshje edhe me Serbinë për interesat e dy vendeve, dy popujve tanë. Prishtina nuk vë kushte, por sillet dhe merr përgjegjësi të reja në procesin e avancimit të zhvillimeve", tha ai.

Kryeministri Thaci theksoi se qëndrimet e Prishtinës nuk i japin fund dialogut me komunitetin ndërkombëtarë dhe as nuk dëmtojnë marrëdhëniet me aleatët që e kanë mbështetur procesin politik në Kosovë.

"Kosova në asnjë rrethanë, me asnjë çmim, nuk do të ketë kundërshtim me partnerët e vet të cilët të gjithë e kanë njohur Kosovën shtet të pavarur e sovran me ata me të cilët kemi zhvilluar takime dhe dialog edhe në ditët e kaluara, edhe sot dhe që dera e Prishtinës do të jetë e hapur edhe në të ardhmen për dialog, për fqinjësi të mirë dhe për perspektivë stabile të Kosovës, rajonit dhe integrime euroatlantike", theksoi kryeministri Thaçi.

Jo zyrtarisht thuhet se zhvillimet e fundit kanë bërë që të shtyhet debati i planifikuar për nesër në Këshillin e Sigurimi të Kombeve të Bashkuara. (ze)

XS
SM
MD
LG