Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian, të mbledhur në Bruksel, ranë dakord të rifillojnë bisedimet e partneritetit me Rusinë, të bllokuara pas ndërhyrjes ushtarake në Gjeorgji.
Ministri i Jashtëm i Francës, Bernard Kushner, vendi i të cilit mban presidencën e radhës të Bashkimit Evropian, tha se vetëm Lituania mes 27 vendeve anëtare, u shpreh kundër rifillimit të dialogut.
Komisioneria për marrëdhëniet e jashtme të Bashkimit Evropian, Benita Ferrero-Waldner tha se bisedimet do të planifikohen pas takimit të 18 nëntorit në Gjenevë për konfliktin.
Më herët, Sekretari i jashtëm britanik David Miliband dhe homologu i tij suedez Carl Bildt thanë në një deklaratë të përbashkët se rifillimi i bisedimeve do të ishte në interesin më të mirë të BE-së. Por ata shprehën shqetësim se forcat ruse nuk janë tërhequr në pozicionet para-konfliktit dhe shprehën mbështetje për integritetin territorial të Gjeorgjisë.
Kryeministri gjeorgjian Grigol Mgalo Bishvili i tha zyrtarëve të BE-së se kthimi i normalitetit me Rusinë do të inkurajonte Moskën të vazhdonte veprimet agresive kundër Gjeorgjisë dhe Evropës Lindore.
Ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov mirëpriti sinjalet e gadishmërisë së BE-së për tu kthyer marrëdhënieve të zakonshme me Rusinë. Ai tha se vendi i tij kërkon marrëdhënie të qëndrueshme, të ngushta dhe afatgjata me BE-në si një partner strategjik. (ze)