Lidhje

Vota e zgjedhësve hebrej në garën për Shtëpinë e Bardhë


Ndërsa kanë mbetur vetëm disa orë deri në zgjedhjet presidenciale të 4 nëntorit, një anketë kombëtare e kohëve të fundit tregon se grupe të mëdha votuesish amerikanë hebrenj mbështesin kandidatin demokrat Barak Obama.

Ajo që të habit nga përfundimet në sondazhin e Komitetit Amerikano-Hebraik që u krye së fundmi, është që mbështetja për senatorin Obama nuk është edhe më i lartë.

“57 për qind e votuesve hebraike mbështesin senatorin Obama dhe 30 për qind mbështesin zotin Mekein. 13 për qind janë të pavendosur, një numër më i madh nga ç’parashikohej në këtë fazë të fushatës”.

Kenneth Bandler është drejtor i komunikacioneve në Komitetin Amerikano-Hebraik.

“Mbështetja prej 57 për qind për Senatorin Obama është disi më e ulët nga ç’mund të pritej nga elektorati hebraik në këtë fazë të fushatës. Në vitin 2004, senatori Kerry kishte siguruar mbështetjen e 67 për qind të elektoratit hebraik dhe pastaj arriti deri në 76 për qind”.

Zoti Bandler thotë se senatori Obama mund të sigurojë edhe më shumë vota nga votuesit e pavendosur, por ai vë në dukje se edhe senatori Mekein po bën përpjekje për të siguruar mbështetjen e tyre. Ai beson se vota e hebrenjve të Amerikës do të jetë vendimtare për rezultatin në të ashtuquajtura shtete të pavendosura si Ohajo, Pensilvania dhe veçanërisht Florida, ku mbështetja për të dy kandidatët është shumë e fortë.

“Votuesit hebrenj përbëjnë pesë për qind të numrit të përgjithshëm të votuesve në Florida. Kjo është një nga arsyet që të dy kandidatët, Mekein dhe Obama kanë bërë aq shumë fushatë në Florida duke dashur të bëjnë për vete votuesit hebraikë, por edhe Kubano-Amerikanët që ashtu si grupimet e tjera etnike kanë një rëndësi të madhe”.

Në anketë ishin bërë pyetje edhe për mbështetjen e hebrenjve të Amerikës për dy kandidatët për nënpresident.

“Ne arritëm në përfundimin se 73 për qind e votuesve e miratojnë përzgjedhjen e senatorit Bajden nga ana e Senatorit Obama. Nga ana tjetër, mes hebrenjve që e identifikojnë veten si republikanë, vetëm 37 për qind ishin dakord me përzgjedhjen e guvernatores së Alaskës Sara Pejlin nga ana e senatorit Mekein”.

Zoti Bandler thotë se sondazhi i ri hedh dritë edhe mbi çështjet që ndikojnë tek mënyra se si votojnë amerikanët hebrenj. Për shembull është krijuar përshtypja që zakonisht hebrenjtë e Amerikës votojnë në përgjithësi për kandidatin që tregon më shumë përkushtim ndaj sigurisë së Izraelit. Në fakt 29 për qind e të anketuarve thonë se ndjehen afër dhe 38 për qind mjaft afër shtetit të Izraelit.

Por Bandler vë në dukje se vetëm 3 për qind e cilësuan sigurinë e Izraelit si çështjen kryesore në këto zgjedhje. Çështjet kryesore që shqetësojnë ata janë ekonomia, kujdesi shëndetësor të pasuara nga lufta në Irak dhe pavarësia e energjisë.

Një shumicë e konsiderueshme votuesish hebrenj shprehën gjithashtu më shumë besim tek demokratët sesa tek republikanët për të marrë vendimet e duhura për këto çështje. 62 për qind e tyre thonë se demokratët do të gjejnë një zgjidhje për krizën financiare, krahasuar me 28 për qind që mbështesin republikanët në këtë drejtim. //ad//

XS
SM
MD
LG