Lidhje

Portret i kandidates republikane për nën presidente Sarah Pejlin


Disa analistë thonë se emërimi i saj ka gjallëruar partinë republikane por të tjerë thonë se ajo është bërë një pengesë edhe më e madhe për ambiciet presidenciale të senatorit Xhon Mekein sesa presidenti Bush. Por cila është Sara Pejlin? Përgjigjia varet nga fakti se me cilën pjesë të elektoratit identofikohesh. Cilado qoftë përgjigjia, guvernatorja 44 vjeçare nga Alaska ka krijuar tashmë imazhin e një figure të re të konservatorizmit në Shtetet e Bashkuara, megjithëse shpesh herë e debatueshme

Që kur u shfaq në skenën politike kombëtare, guvernatorja e Alaskës Sara Pejlin ka elektrizuar shumë njerëz dhe ka ngjallur frymëzimin e mijëra përkrahësve.

Megjithatë, pavarësisht nga popullariteti i saj, ajo këmbëngul se është si çdo njeri tjetër.

"Prindërit e mi punuan të dy në një shkollë fillore dhe si burri im dhe unë u rritëm duke punuar. Unë isha thjesht një mama që çonte djalin e saj në lojrat e hokejit". - thotë ajo

Por ata që e njohin thonë se ajo shumë më tepër se kaq. Në shkollë të mesme ajo ishte një basketbolliste e shkëlqyer dhe ambicioze. Përpara se t’i futej politikës, ajo u bë një pronare e një biznesi peshkimi dhe një reportere televizioni. Dhe sipas babait të saj, ajo arrinte çdo gjë që vinte si synim:

"Ajo kishte kokë më vete dhe nëse thoshte që kishte të drejtë dhe zakonisht ajo kishte të drejtë, kështu do bëhej".

Ajo u ngrit në detyrë nga anëtare e këshillit të qytetit në kryebashkiake e një qyteti të vogël dhe më pak se dy vjet më parë ajo u bë guvernatore e Alaskës.

Guvernatorja Pejlin pëlqehet shumë në shtetin e saj ku gëzon popullaritet të madh prej rreth 80%.

“Me 18 milionë votat e Hillarisë, gratë iu afruan fare pranë postit më të lartë, por mesa duket ato nuk do të ndalen këtu dhe ne mund ta shembim këtë pengesë një herë e përgjithmonë”, tha ajo.

Megjithëse shumë në partinë e saj shpresonin se emërimi i zonjës Pejlin do të bënte për vete përkrahësit e zonjës Klinton, disa thonë se kjo lloj përllogaritje ka dështuar.

Demokratët thonë se zonja Pejlin është kundër çështjeve që kanë rëndësi për gratë.

Ajo është kundër abortit, beson në krijimin e botës sipas Biblës dhe mbështet me forcë të drejtat për armëmbajtje.

Pas javësh të tëra një ndjekjeje nga afër të veprimtarisë së saj dhe disa intervistash që e nxorrën atë nën një dritë jo shumë pozitive, shkëlqimi i saj filloi të zbehej. Anketat e fundit tregojnë se më shumë amerikanë nuk kanë një pikëpamje të favorshme për të. 55 për qind e votuesve thonë se ajo nuk është e kualifikuar për të qenë nënpresidente. Rënia e saj në sondazhe ndodhi njëkohësisht me distancimin prej saj nga disa figura me peshë në partinë e saj. Një prej tyre është ish- Sekretari i Shtetit Kolin Pauell, që mbështeti kandidatin demokrat për president Obama dhe atë për nënpresident Bajden.

“Ajo është një grua që duhet admiruar. Por në të njëjtën kohë, pas shtatë javësh që kemi pasur rastin të ndjekim qëndrimin e saj, unë nuk besoj se ajo do të ishte gati të bëhej presidente e Shteteve të Bashkuara, gjë që duhet ta ketë një nënpresident”. - thotë zoti Pauell

Disa republikanë thonë se zonja Pejlin po tërheq vëmendjen nga gjërat e rëndësishme, si për shembull kur u mor vesh se Komiteti Kombëtar Republikan kishte shpenzuar 150 mijë dollarë për veshje për të dhe familjen e saj.

Xhon Mekein thotë se ajo është gati.

“Ajo ka entuziazmuar dhe elektrizuar bazën tonë. Ajo është e kundërta e programit liberal feminist për Amerikën. Ajo ka një familje të mrekullueshme, është reformatore, është konservatore. Është gjëja më e mirë për fushatën time dhe për Amerikën”. - thotë ai

Zonja Pejlin thotë se është e përgatitur të shërbejë si nënpresidentja e parë grua në Shtetet e Bashkuara.

"Do të jetë nderi im t’i shërbej presidentit të ardhshëm të Shteteve të Bashkuara." - thotë ajo //mm//
XS
SM
MD
LG