Lidhje

Është Amerika gati për një president afrikano-amerikan?


Gara për në Shtëpinë e Bardhë është e pranishme kudo – në valët e transmetimeve dhe në qoshkat e gazetave, ajo ka tërhequr vëmendjen në mbarë botën. Kjo garë është historike, pasi senatori Barak Obama, u bë i pari afrikano-amerikan që fiton kandidaturën e një partie kryesore politike për president. Por a është Amerika gati për të patur një president afrikano-amerikan?

Zgjedhjet e 4 nëntorit do të jenë si asnjë zgjedhje tjetër. Për herë të parë, njëri nga kandidatët e dy partive kryesore, senatori Barak Obama është afrikano-amerikan. Krahas zgjedhjes së presidentit të ardhshëm të Shteteve të Bashkuara, disa votues do të venë në provë edhe qëndrimet e tyre për racën.

Zëri i Amerikës pyeti njerëz në mbarë vendin në se janë gati për një president afrikano-amerikan.

Analistët politikë, shprehin gjithashtu pikëpamjet e tyre për këtë çështje. Profesori Leri Sabato, në Universitetin e Virxhinias, thotë se raca e zotit Obama do të jetë një faktor i pashmangshëm.

“Të mos tregohemi naivë. Ende ka paragjykime raciale e jo vetëm në jug, apo në shtetet kufitare. Mendoj se ky është një problem real për Obamën, problem i vështirë për ta trajtuar. Sa më tepët që ai flet për racën, aq më tepër njerëzit mendojnë për këtë. Por nëse ky problem nuk trajtohet, ai do të bëhej edhe më i madh”.

Emërimi i Barak Obamës theu një barrierë të madhe. Por ai nuk është afrikano-amerikani i parë që vë kandidaturën për president.

Në vitin 1972, ligjvënësja demokrate e Nju Jorkut, Shërlli Çizëll, kandidoi por nuk mundi të marrë emërimin e partisë. Në vitin 1968, kur zonja Çizëll u bë gruaja e parë që zgjidhej në Dhomën e Përfaqëuesve, vendi po dilte nga vite të tëra protestash për të drejtat civile, që synonin t’i jepnin fund diskriminimit racial në jug të vendit.

E gjitha kjo kulmoi në prill të vitit 1968, me vrasjen e udhëheqësit të të drejtave civile, Martin Luther King. Në mbarë vendin, zemërimi i zezakëve dhe pakënaqësitë e tyre u shprehën me protesta nëpër rrugë.

16 vjet më vonë, në vitin 1984, Xhesi Xheksën bëri fushatë për të marrë emërimin demokrat. Ai mori rreth 3,5 milionë vota në zgjedhjet praprake. Në përpjekjen e dytë, përsëri pa sukses, në vitin 1988, ai fitoi dyfishin e votave.

Barak Obama po e paraqet veten si një kandidat ndryshe, thotë Tomas Man, i Institutit Brookings në Uashington.

“Senatori Obama përfaqëson kandidatin e një brezi më të ri të pakicave dhe në të njëjtën kohë, nuk është jashtë gjeneratës të së drejtave civile. Ai nuk është konfrontues dhe nuk kandidon si afrikano-amerikan, por si Barak Obama”.

Fushata e senatorit Obama ka tërhequr të bardhë, latinë e aziatiko-amerikanë, krahas afrikano-amerikanëve. Ajo ka gjallëruar të rinjtë në shkallë të paparë, që nga koha kur mosha e votimit u ul në 18 vjeç në vitin 1972. Në vështrim të parë, dikush mund të thotë se mbështetja e gjerë që gëzon tani zoti Obama dhe rezultatet e anketave do t’i shërbejnë atij në ditën e zgjedhjeve.

Por studjuesja Vesla Uivër në Universitetin e Virxhinias paralajmëron se në zgjedhjet e mëparshme, kandidatët me ngjyrë janë ndeshur me surpriza të pakëndshme.

“Mendoj se kjo ka të bëjë me faktin, që njerëzit pasi kanë hedhur votën, nuk deklarojnë se për cilin kandidat kanë votuar kur bëhet fjalë për çështje kontradiktore si për shembull votimi për një kandidat afrikano-amerikan”.

Në vitin 1982, në bazë të anketave të marra në qendrat e votimit, kryetari i bashkisë së Los Anxhelosit, kandidati me ngjyrë Tom Bredli ishte në krye të garës. Por pas numërimit të votave, doli se ai kishte humbur.

Në zgjedhjet për guvernator shteti të vitit 1989, kandidati tjetër me ngjyrë Daglas Uajlder kryesonte garën me 10 për qind, sipas anketave parazgjedhore. Por në zgjedhje ai fitoi me më pak se një për qind të votave.

Analistët politikë e njohin këtë me termin “Efekti Bredli” dhe thonë se ky ende mbetet një faktor.

Zëri i Amerikës pyeti persona të feve, grupmoshave dhe niveleve me të ardhura të ndryshme, në se janë të gatshëm të zgjedhin një president me ngjyrë. Disa prej tyre u përgjigjën pozitivisht, por të tjerë thanë se nuk janë të sigurt.//ii

XS
SM
MD
LG