Shqipëria dhe Italia nënshkruan sot 5 kontrata dhe marrëveshje ekonomike. Nënshkrimi i tyre u bë gjatë vizitës së ministrit të jashtëm italian Franco Frattini në Tiranë, i cili deklaroi se besonte që procesi i bisedimeve për liberalizimin e vizave mes Brukselit dhe Tiranës mund të mbyllet brenda 6 mujorit të vitit të ardhshëm. Në të gjitha bisedimet e ministrit Frattini është vënë në dukje se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të shkëlqyera. Italia është partneri i parë ekonomik i Shqipërisë.
Në mars të këtij viti, ministri i jashtëm italian, Franco Frattini firmosi, atëherë në cilësinë e zëvendëspresidentit të komisionit europian, hapjen e bisedimeve për liberalizimin e vizave. Ai tha në atë kohë, se shpresonte që ky proces të mbyllej nga mesi i vitit të ardhshëm. Sot ai rikonfirmoi të njejtin besim, duke deklaruar se hyrja në fuqi e traktatit të Lisbonës nuk duhet të bëhet pengesë:
"Rruga drejt liberalizimit të vizave duhet të vazhdojë. Unë besoj se pasardhësit e mi në Bruksel në Komisionin Evropian do të mund të realizojnë përpara fundit të mandatit të tyre, Qershor 2009, këtë rrugëtim. Vërtet që ky nuk do të jetë anëtarësimi i Shqipërisë në Evropën e Bashkuar, por gjithsesi do të ishte një sinjal i jashtëzakonshëm. Është e qartë se këto etapa kërkojnë një vullnet të fortë politik nga ana e qeverisë shqiptare. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet të vazhdojë. Gjithashtu duhet të realizohet reforma e sistemit zgjedhor. Unë uroj që kjo të bëhet në marrëveshje me opozitën, pasi kjo reformë zgjedhore duhet të jetë e përbashkët, dhe sigurisht edhe një proces reformash që të prekë magjistraturën. Një reformë në drejtësi që duhet të jetë po aq e gjerë dhe e rëndësishme", tha zoti Frattini.
Një ndër elementët kryesorë, që kërkohet për liberalizimin e vizave janë edhe dokumentat e sigurt të udhëtimit dhe identitetit. Kryeministri Sali Berisha i tregoi sot ministrit të jashtëm italian modelin e pasaportës së re biometrike, prodhimi i së cilës së bashku me kartata e identitetit pritet të nisë në fillim të vitit të ardhshëm.
Në të gjitha takimet autoritetet shqiptare nuk kursyen elozhet ndaj ministrit Frattini, por edhe Italisë, vendi që ka ofruar më shume se kushdo tjetër ndihma ndaj Shqipërisë por që është njëkohësisht edhe partneri kryesor ekonomik i saj.
Ministri italian premtoi mbylljen në një kohë të shpejtë të një marrëveshjeje të re bashkëpunimi si dhe konfirmoi interesin e Italisë për të thelluar marrëdhëniet ekonomike:
"E konsiderojmë një përparësi bashkëpunimin në sektorin e infrastrukturës dhe korridorin 8 një përparësi të madhe. Kemi gjithashtu një interes të madh për mundësitë që Shqipëria ofron në prodhimin e energjisë, për të cilën Italia ka nevojë. Një bashkëpunim më i ngushtë në fushën e turizmit do të ishte një mundësi e madhe për t'u shfrytëzuar dhe vlerësuar nga operatorët italian të sektorit”.
Pesë marrëveshje dhe kontrata u nënshkruan sot mes dy vendeve të cilat përfshinin ndihmën italiane për sipërmarrjet shqiptare si dhe investime në sektorin energjitik apo ngritjen e një parku industrial në Koplik të Shkodrës.
Kryeministri shqiptar Sali Berisha deklaroi se sistemi i ri fiskal është mjaft tërheqës për investimet e huaja:
"Unë kam zbatuar pikë për pikë atë që kisha premtuar. Shqipëria nuk është një parajsë se ajo është hyjnore por i garantoj se do të vendos praktikat më të mira për investimet e tyre"
Italia përfaqëson 36 përqind të vëllimit tregtar të Shqipërisë dhe është vendi i parë si në importet ashtu dhe eksportet shqiptare.
Ministri i jashtëm italian u prit nga autoritetet më të larta të vendit. Ai ishte gjithashtu i ftuar edhe në takimin e përvitshëm të ambasadorëve shqiptarë në botë. /am/